
Partia Republikane ka zhvilluar një takim në Vlorë, ku është vlerësuar se kjo zonë ka mundësi pa fund por është në varfëri ekonomike dhe papunësi si pasoje e keq qeverisjes.
”Klanet kriminale të kanabisit, të mbështetur nga qeveria, të lidhura tashmë me grupet kriminale të trafikut të drogës, e kanë kthyer Vlorën në vendin e larjes së hesapeve”,-thuhet në njoftimin e PR-së.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se Vlora dhe familjet e mëdha patriotike kanë bërë historinë e Shqipërisë dhe kombit.
“Shqipëria duhet të rikthehet në historinë e saj Europiane dhe Vlora duhet të rikthejë me forcë vlerat më të mira të saj, duke përbuzur regjimin e korruptuar të Ramës. Largimi masiv i të rinjve, profesionistëve nga Vlora dhe mbarë Shqipëria, po kthehet në një dramë kombëtare, duke krijuar probleme të mëdha politike, ekonomike dhe sociale. Rama nuk do të ndalet në rrugën e tij të manipulimit të zgjedhjeve, prandaj opozita pa humbur kohë duhet të bashkohet në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë”, vlerësoi kreu i republikanëve.
