Takimi me Frrokun? Braho: Kam qenë në spital për arsyet e mia shëndetësore

Spartak Braho ka mohuar të ketë takuar në spitalin ku ndodhet i shtruar deputetin Mark Frroku.

Ai tha se lajmet e përhapura janë të pavërteta. 

“Jam i neveritur për dezinformimin që po bëhet. Nuk e kam vizituar Mark Frrokun. Unë kam qenë në spital për arsyet e mia shëndetësore”, ka thënë Braho.

reagimi i plotë Brahos

"Ndonëse as nuk ia vlen të merresh me sqarimin e këtij dyshimi që hedh në eter kova e ndryshkur propagandistike për të bërë gjoja “lajm”, prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë.

Kanë rast ‘investiguesit seriozë’ të shkojnë të kontrollojnë kamerat e sigurisë së spitalit të cilat regjistrojnë çdo gjë, policët përkatës në shërbim dhe të zbulojnë lajmin e saktë, që s’është lajm fare. Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku.

Me kaq lidhej qenia ime dhe lajmi i saktë zotërinj drejtues, pronar, gazetar të disa mediave që fabrikuat lajm kot. Kini kujdes mos i kriminalizoni televizionet shqiptare dhe veten e tuaj. Ky sugjerim s’ka të bëjë me korrigjimin e bindjeve tuaja, por me etikën, korrektesën dhe profesionalizmin shpeshherë të munguar”, sqaron deputeti Braho.

SHKARKO APP