Takimi me Ramën, ambasadori amerikan Eric Wendt: Partneriteti i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të prezantimit të tij, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Përmes një njoftimi, ambasada amerikane bëri të ditur se biseda u përqendrua në disa prej fushave kryesore të bashkëpunimit dypalësh, mes tyre mbrojtja, zgjerimi i tregtisë dhe investimeve, si dhe intensifikimi i përpjekjeve kundër krimit të organizuar.
“Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku”, thuhet në njoftimin e ambasadës, e cila publikoi edhe foto nga takimi mes ambasadorit Wendt dhe kryeministrit Rama. Takimi vjen në kuadër të angazhimeve për thellimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

