
Pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se është shantazhuar gjatë qëndrimit në burgun e Fierit, janë vënë në pikëpyetje nga gazetarja Klodiana Lala, e cila i cilësoi deklaratat e tij si pjesë të një strategjie për të krijuar imazhin e një personi të persekutuar nga drejtësia. Lala komentoi edhe takimin e ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari (Gogu), me Veliajn në ambientet e burgut të Fierit, në orët e vona të mbrëmjes. Sipas gazetares, fakti që takimi u zhvillua rreth orës 22:30 dhe nuk u shoqërua me një vizitë zyrtare për inspektimin e kushteve të burgut, ngre pikëpyetje mbi qëllimin e tij.
“Një ministër Drejtësie, në bazë të ligjit, në çdo orë dhe në çdo kohë mund të kryejë vizita në burg. Fakti që Gogu shkoi në burgun e Fierit në orën 22:30 të mbrëmjes dhe bëri një takim jo për të inspektuar kushtet e burgut, tregon se nuk shkoi në ushtrimin e detyrës së ministrit të Drejtësisë”, u shpreh Lala.
Gazetarja u ndal më pas te pretendimi i Veliajt se ishte kërcënuar për të dorëzuar Bashkinë e Tiranës te Arbër Hajdari. Ajo vuri në dukje se kryebashkiaku nuk ka bërë një denoncim institucional për këto pretendime. “Fakti që nuk denoncon shantazhin më lind dyshime. Nëse Veliaj ka rënë pre e shantazhit, duhet t’u drejtohet institucioneve”, deklaroi ajo.
Sipas Lalës, Veliaj që prej fillimit të arrestimit është përpjekur të paraqitet si viktimë e një procesi të padrejtë. Ajo shtoi se pretendimet për shantazh mund të përdoren edhe në kuadër të përpjekjeve ligjore të kryebashkiakut në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Patjetër që zoti Veliaj do ta përdorë këtë gjë në Strasburg”, tha gazetarja.
