Taksa e pronës, 3 ditë afat për vetëdeklarimin, pagesa në faturën e ujit

Tri ditë afat kanë banorët e Tiranës për të bërë vetëdeklarimin e pronës në pikat e UKT-së në kryeqytet. Më 30 tetor përfundon afati zyrtar për këtë proces. Në nëntor nisin verifikimet në terren nga ekipi i specialistëve si dhe penalitetet për banorët që refuzojnë deklarimin e pronës.

Punonjës të ujësjellësit, Hipotekave dhe ALUIZNI-it, nëse objekti është në proces legalizimi, do të mbledhin të dhënat për çdo sipërfaqe banese, dyqani dhe garazhi në Tiranë. Taksa e pronës do të llogaritet 0.05% e vlerës së banesës, e cila ndryshon në varësi të zonës ku ajo ndodhet.

Kështu për një apartament që vlen 100 mijë euro do të paguhet 50 euro taksë prone në vit ose 6670 lekë. Kjo shumë do të ndahet në 12 muaj të vitit, me rreth 600 lekë çdo muaj. Ndërsa për biznesin, niveli i taksës është 0.15% e vlerës.

Taksa e pronës do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm dhe i shtohet tarifave të tjera në faturën e ujit. Së bashku me të, shkon në katër numri i taksave në Bashkinë e Tiranës, krahas çmimit për ujin që shpenzojmë. Aktualisht paguajmë 100 lekë taksë për ndërtesën, 150 lekë për infrastrukturën arsimore dhe 420 tarifa e pastrimit.

Nga taksa e re e pronës, përjashtohen pensionistët, personat me ndihmë ekonomike, banesat sociale, ndërtesat e komuniteteve fetare, pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore.

SHKARKO APP