TAP nënshkruan marrëveshje me Ministrinë e Kulturës për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike të zbuluara gjatë ndërtimit të tubacionit
Shqipëri TAP dhe Ministria e Kulturës nënshkruan një marrëveshje për një projekt, i cili do të katalogojë, konservojë, arkivojë dhe raportojë gjetjet arkeologjike dhe artefaktet e zbuluara gjatë ndërtimit të tubacionit të TAP-it.
Kjo marrëveshje është për një investim prej 1.4 milionë euro, që synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Projekti do të zbatohet nga kontraktori i përzgjedhur Abkons shpk në bashkërendim dhe nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës.
TAP-i ka treguar që në fillim respekt të jashtëzakonshëm ndaj trashëgimisë kulturore të vendeve pritëse, duke njohur rëndësinë e dimensionit kulturor.
Në kulmin e ndërtimit, më shumë se 600 arkeologë punuan në të tre vendet pritëse për të monitoruar vazhdimisht punimet e ndërtimit dhe për të dokumentuar të gjitha gjetjet e trashëgimisë kulturore.
Falë TAP-it, në Shqipëri u identifikuan shumë zona arkeologjike, vendbanime të rëndësishme dhe gjetje të trashëgimisë kulturore, duke u mundësuar arkeologëve të zgjerojnë më tej njohuritë e tyre. TAP ka zbuluar gjetje nga disa periudha të historisë shqiptare, duke filluar nga një vendbanim neolitik i zbuluar në Turan të Korçës që daton në 7,000 vite para Krishtit, deri te gjetjet e shekullit të kaluar. Rajonet ku u zbuluan pjesa më e madhe e siteve arkeologjike janë Korça, Berati dhe Skrapari.
Në total, TAP ka zbuluar 44,000 artefakte dhe rreth 1,000 skelete në 12 gërmime dhe monumente kulturore pranë gjurmës së tubacionit në Shqipëri. Plani i TAP-it për menaxhimin Mjedisor, Social dhe Trashëgiminë Kulturore është në përputhje me rregulloret kombëtare dhe të BE-së, kërkesat e performancës së BERZH-it dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Z. Luca Schieppati, Menaxher Drejtues i TAP tha: “TAP përshkon vende me histori e kuturë të pasur. Jam krenar që gjetjet e zbuluara nga TAP-i kanë pasuruar njohuritë tona mbi historinë e Shqipërisë dhe të Evropës. Kemi përzgjedhur me kujdes një ofrues shërbimi kompetent dhe me përvojë që plotëson të gjitha kërkesat për të siguruar një zbatim të suksesshëm të projektit. Ne besojmë se në koordinim me Ministrinë e Kulturës, kontraktori do të sigurojë përfundimin e detyrës në kohë e në përputhshmëri të plotë me kushtet e kontratës.”
Znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës tha: “Nuk është e rastit që jemi sot këtu për të nënshkruar një tjetër marrëveshje dhe një tjetër hap bashkëpunimi. TAP është një nga bashkëpunëtorët tanë më të vlefshëm, me të cilët po restaurojmë Sallën e Koncerteve në Universitetin e Arteve, një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe për jetën kulturore dhe akademike. Sot nënshkruajmë një marrëveshje në fushën e arkeologjisë dhe shpresoj që të vijojmë me të tjera projekte të përbashkëta”.
Z. Redi Basha, Drejtor Ekzekutiv i Abkons tha: “Ndihemi krenarë që do të mund të vazhdojmë të ofrojmë kontributin tonë për ruajtjen e pasurive arkeologjike të vendit, si pjesë e projektit për Gazsjellësin Trans Adriatik. Gjetje të shumta mbresëlënëse janë nxjerrë në dritë gjatë punimeve për TAP-in. Gërmimet e kryera në kuadër të ndërtimit të gazsjellësit kanë pasuruar topografinë arkeologjike dhe bazën shkencore. Nga ana tjetër, kanë dalë në dritë gjithashtu një numër sitesh arkeologjike të panjohura deri më sot, të cilat e zgjerojnë akoma më tepër perspektivën studimore në vend dhe në rajon. Abkons ka ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në të gjithë projektet dhe do të vijojë të punojë sipas standardeve më të larta edhe në procesin e katalogimit, për të siguruar qëndrueshmëri në ruajtjen e gjetjeve arkeologjike.”
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm. Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi Bullgari (IGB). Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.
Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurtë në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.
Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com| www.twitter.com/tap_pipeline
Kontakt për Media në anglisht: media@tap-ag.com