Tarifa të reja për plazhet publike në Vlorë
Këshilli Bashkiak i Vlorës, me shumicën e votave të këshilltarëve të PS-së, ka miratuar tarifën për përdorimin e plazheve publike të administruara nga bashkia. Kjo masë parashikon krijimin e një hapësire të re plazhi për këtë sezon veror, e cila do të menaxhohet nga pushteti vendor dhe do të ofrojë shërbime si shezlongë dhe çadra.
Tarifa e përcaktuar është 700 lekë për një çift shezlongësh me një çadër, vendim që ka shkaktuar kundërshtime nga përfaqësuesit e opozitës në këshill. Sipas tyre, çmimi është i lartë dhe bie ndesh me propozimet e mëparshme për një tarifë më të ulët.
“Është për të ardhur keq që u miratua një tarifë më e lartë se ajo e propozuar më parë nga administrata. Ne mendojmë se ky plazh duhet të mbetet pa pagesë”,-u shpreh këshilltari i opozitës Atird Hoxha.
Sipas vendimit të miratuar, në Vlorë do të ketë tre kategori plazhesh: plazhe publike me pagesë të administruara nga bashkia, plazhe publike pa pagesë, si dhe hapësira të dhëna për subjekte private, të ndara sipas hartës së miratuar nga Këshilli Bashkiak.

