Të bëhesh e njohur nga ambasadori amerikan !

Nuk ka nevojë të luash filma, as të vishesh në mënyrë provokuese. Rubrikat rozë të gazetave mund të nxjerrin foto sensuale pa fund. Në thashethemet e metropolit mund të qarkullojnë shumë zëra për jetën private, por sërish kaq nuk mjafton për t’u bërë e njohur. Sërish njerëzit do pyesin: Kush është kjo goca? Të gjitha ato që nuk t’i ka sjellë talenti deri më sot, mund të vijnë në mënyrë të befasishme vetëm nga fjalia e një diplomati të rëndësishëm.

Prej dy ditësh, Olta Gixhari nuk është më vajza e spektakleve dhe aktorja që del tek-tuk në televizor. Ekzistenca e saj në opinion ka nisur të emërtohet me një fjali shumë të çuditshme: Olta, ajo që i ka mbetur fiksim ambasadorit amerikan?! I ftuar në emisionin e gazetarit Sokol Balla, në Top Channel, mes shumë fshikullimeve për opozitën, qeverisjen, diplomati i SHBA-ve pati dhe një moment sinqeriteti personal, për ato që i kishin mbetur peng gjatë 4 viteve të misionit të tij në Tiranë. “Keqardhje është se kam shpenzuar 4 vite këtu dhe nuk kam takuar Olta Gixharin”, – u shpreh ambasadori Arvizu. Thjesht sinqeritet dukej se ishte.

Kaq ka mjaftuar që Oltën të nisin ta shohin ndryshe. Gazetat kishin një ditë më pas foton e saj në faqet e para, në krah të asaj të ambasadorit të SHBA-ve, njëlloj si të kishin bërë një zbulim me rëndësi për fatet e vendit. Më pas, nisën gërmimin për të zbuluar se kush është realisht kjo vajza, takimi i munguar me të cilën i ka mbetur peng ambasadorit të SHBA-ve. Nuk mungoi dhe reagimi “spontan” i zonjushës që ndjehej e mikluar nga vlerësimi i diplomatit, si dhe kthimi i përgjigjes se ishte gati ta takonte, mundësisht pas një ftese në SHBA. Por ama në SHBA e jo në Tiranë! Tani ka mbetur që të informohemi dhe se kur do ta pinë kafen Arvizu dhe Gixhari, si dhe detaje të tjera që jepen në kësi rastesh, për të plotësuar elementët e një takimi që po merr përmasat e një ngjarje kombëtare.

Deklarata e ambasadorit ishte një qëndrim që mund të merrej si vlerësim për punën e saj si aktore. Megjithatë, përveç ndonjë reklame mediatike, e cila është sfiduese, Olta nuk është shquar në ndonjë realizim të spikatur kinematografik. Përveç suksesit në dramën “Pamje nga Ura”, rolet kinematografike kanë qenë dytësore, ku sigurisht është vlerësuar për bukurinë e saj, por jo për elementë të spikatur të aktrimit. Disa projekte televizive të nisura në media kanë dështuar që në puntatat e para. Ndonjëherë hiret e saj zënë faqet e revistave rozë, por duhet të kuptohemi, të nxjerrësh në foto trupin, sado të bukur, nuk është e njëjta gjë si të bësh art. 

Megjithatë, Olta duket se i ka një borxh të madh diplomatit në ikje në Tiranë. Falë tij, ajo tashmë është në qendër të vëmendjes. Adresat e saj në rrjetet sociale po shtojnë në mënyrë të shpejtë numrin e fansave, një pjesë të cilëve mund të mos ia kenë dëgjuar emrin më parë. Gazetarët janë në radhë për t’i marrë intervistë, madje nuk është çudi që këto ditë të ketë marrë dhe ndonjë ofertë për ndonjë prodhim artistik. Famën dhe suksesin duket se nuk ia dha talenti. Ia dhuroi ambasadori vetëm me një deklaratë!

Si  është jeta! Lodhesh duke punuar e nuk arrin asgjë, vjen një ambasador e thotë se kam peng që nuk takova filanen dhe filania bëhet VIP! Kjo është Shqipëria. 

SHKARKO APP