Të burgosurit kapin shifra rekord, ja sa janë shtuar

Popullsia e burgjeve në Shqipëri është rritur me mbi 20 për qind në dy vjet duke arritur në 5,453 persona në fund të vitit 2014, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave.

Gjatë viteve 2010-2012, numri i shqiptarëve që kaluan nga burgjet si të dënuar apo të paraburgosur qe rreth 4,600 vetë, por në vitin 2013 u rrit në 4,914 vetë ndërsa në vitin 2014 kulmoi në gati 5,500 vetë.

Të dhënat e vitit 2015 nuk janë ende të disponueshme, por rritja pritet të jetë akoma më e madhe për shkak se një pjesë e madhe e të arrestuarve gjatë fushatës kundër vjedhjeve të energjisë elektrike u vunë zakonisht në masë sigurie arrest me burg gjatë muajve të parë të vitit 2015.

INSTAT raportoi edhe numrin e të burgosuve sipas qarqeve dhe numrin e të burgosurve për 10 mijë banorë.

Në rang kombëtar, në vitin 2014, 19 në çdo 10 mijë shqiptarë qe i burgosur.

Kukësi ka numrin më të lartë të të burgosurve për frymë për vitin 2014 me 34 të burgosur për dhjetëmijë, pasuar nga Berati me 29 të burgosur për dhjetëmijë dhe Lezha  e Gjirokastra me 28 të burgosur për dhjetëmijë.

Të burgosurit në Kukës janë rritur me 72 për qind përgjatë dy viteve 2013 dhe 2014, pasuar me Korçën ku rritja qe 39 për qind dhe Gjirokastrën me 30 për qind.

Numri i të burgosurve në raport me popullsinë llogaritet nga INSTAT në bazë të vlerësimeve për popullsinë rezidente të qarqeve përkatëse, vlerësime që bazohen te rezultatet e Censusit 2011 dhe hipotezave mbi ndryshimet e mundshme nga censusi deri në vitin 2014.

Për rrjedhojë, shifrat mund të mos jenë tërësisht të sakta.

Numri i të burgosurve është rritur veçanërisht për shkak të operacioneve të nisura nga qeveria kundër shkeljeve të kodit të qarkullimit rrugor në fund të vitit 2013 dhe kundër vjedhjes së energjisë elektrike në fund të vitit 2014.

Në fillim të vitit 2015, situata u bë dramatike për shkak se kapaciteti aktual i infrastrukturës së burgjeve dhe paraburgimit është rreth 4,500 veta, duke treguar se aktualisht burgjet përdoren mbi kapacitet. Një investigim i mëparshëm të BIRN rezultoi se në një numër të madh burgjesh, mbingarkesa me të burgosur ka detyruar të dënuarit apo të paraburgosurit të lahen vetëm një herë në javë apo të flenë me turne.

Organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kritikuan në atë kohë qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për ushtrimin e presionit verbal publik ndaj gjykatësve për të marrë masë sigurie arrest me burg, gjë që përbën në vetvete një shkelje të të drejtave të njeriut.

Një pjesë e madhe e të dënuarve apo të paraburgosurve shtesë qenë si pasojë e fushatës për ndalimin e vjedhjeve të energjisë elektrike.

Nga Gjergj Erebara, BIRN*

SHKARKO APP