Të dhënat personale, eksperti: Shkelje nga portalet dhe partitë
Sipas Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave personale, Besnik Dervishi për vitin 2019 ka pasur mbi 300 ankesa të përdorimit të paligjshëm të të dhënave personale ndaj të cilave komisioneri ka vepruar. ”Për vitin 2019 ke kemi pasur një numër prej 301 ankesash. Kjo tregon jo se janë shtuar shkeljet, por ndërgjegjësimi i qytetarëve në fushën e mbrojtjes së të dhënave është rritur jashtëzakonisht shumë nga viti në vit”,-tha në ”euronews”.
Të dhënat personale nuk i përdorin vetëm subjektet private apo publike, por edhe ato politike. Besnik Devishi pohon se janë trajtuar edhe raste kur të dhënat e qytetarëve janë përdorur në mënyrë të paligjshme nga ana e politikës.
”Ashtu si edhe portalet edhe partitë politike janë kontrollues në kuptim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ka pasur raste ankesash, jo shumë për hir të së vërtetës dhe kryesisht ndodhin kur ka fushata elektorale, përpara fushatave elektorale, ku partitë politike bëjnë testimet e tyre”. Raporti pritet të shqyrtohet javën tjetër në Kuvend.