Të fillosh punën si kryebashkiak akoma pa marrë zyrën në dorëzim: ky është Benet Beci!
Aktualitet Kryesore E Shtunë, 10 Qershor 2023 12:10
Shkruar nga Jonida Halili-
Eshtë thënë shumëherë se Benet Beci ishte surpriza e zgjedhjeve të 14 majit. Por që të fillojë punën një kryebashkiak ende pa marrë zyrtarisht detyrën dhe zyrën, edhe kjo nuk kishte ndodhur.
Zakonisht jemi mësuar se kur një kryebashkiak fiton zgjedhjet niset jashtë shtetit për pushime apo shëtit duke pritur marrjen e detyrës.
Ndërkohë në Shkodër sot po punohet kudo për pastrimin e mbeturinave dhe rregullimin e zomave Velipojë, Ura e Bunës, Shiroka dhe Zogaj.
Që dje ishte vetë Benet Beci i cili lajmëroi qytetarët për këtë aksion pastrimi. Ndërsa sot krejt zonat në fjalë janë duke u pastruar.
Në krye ndodhet Benet Beci.
Ja dhe postimi i Benet Becit dje për pastrimin e sotëm:
“Për një Shkodër të pastër!
Të dashur bashkëqytetarë,
duke nisur nga dita e nesërme, e shtunë 10 qershor 2023, zonat e Velipojës, Ura e Bunës, Shiroka dhe Zogaj do të përfshihen në një aksion pastrimi. Kjo ndërhyrje do të realizohet me përfshirjen e Forcave të Armatosura, si bashkëveprim mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, Ministrisë së Mbrojtjes, Prefektit dhe Bashkisë Shkodër.
Me synim mbrojtjen e mjedisit e shëndetit të njerëzve dhe si domosdoshmëri për mbarëvajtjen e sezonit turistik, aksioni do të përfshijë:
•pastrimin e skarpateve në të dyja anët e Urës së vjetër të Bunës
•pastrimin e përroit Qendër- Shirokë
•pastrimin e mbetjeve të hedhura përgjatë rrugës Shirokë -Zogaj
•pastrimin e mbetjeve sipërfaqësore në Vilu, në zonën e hidrovorit në Velipojë
•sistemimin e territorit dhe mbulimin e sipërfaqes
•pastrimin e inerteve të objekteve të prishura nga IKMT (IMVT).
Mbarëvajtja e këtij aksioni disaditor ka nevojë për mirëkuptimin e qytetarëve. Unë kam besim të plotë se të gjithë duam një Shkodër të pastër, ndaj jo vetëm në aksione të këtyre përmasave, por çdo ditë, vëmendja e shtuar e secilit prej nesh na siguron cilësi më të mirë jetese dhe mbrojtje të mjedisit. Faleminderit!”
Në foto: Nga dita e sotme (10 qershor) duke pastruar në bashkinë e Shkodrës