Të gjithë pas Sokol Sadushit!
Drafti i ri i Kodit Penal që paraqiti kryetari i grupit të Punës, ish-prokurori i përgjithshëm, sot drejtor i shkollës së Magjistraturës, ku shkollohen prokurorët e gjyqtarët e ardhshëm, pra i quajturi Arben Rakipi, ka krijuar rrëmujë dhe pështjellim, bile reagime negative ekstreme kundrejt Draftit.
Të gjithë po reagojnë, pra ata që marrin vesh nga drejtësia, kurse sot reagoi edhe prokurori i përgjithshëm Olsi Çela. Në thelb prokurori i përgjithshëm e quan draft të rrezikshëm, duke shtuar se me mirë të diskutohej për Kodin e Procedurës Penale sepse po mbahen njerëz në burg edhe për shkak të këtij kodi procedure!
Po kështu kanë reaguar ashpër aktorët kryesorë të profesionit të juristëve. Në kor, të gjithë; të alarmuar. Ka reaguar edhe politika, ndonëse duhet dëgjuar, por po e lëmë mënjanë atë sepse më i rëndësishëm mbetet komuniteti i drejtësisë.
Të gjithë po thonë: Draft aspak i drejtë që vetëm rrit kriminalitetin. Tani pyetja shtrohet: Kush ishte i pari njeri i drejtësisë që guxoi, foli, kritikoi, fshikulloi Grupin e Punës dhe Draftin?! Olsi Çela thotë sot se nuk shkoi në takimin e debatit për prezantimin e tij nga Arben Rakipi. Por pse nuk shkoi aty dhe t’ua përplaste në fytyrë Ministrit të Drejtësisë, Kryetares së Parlamentit, dhe Arben Rakipit?
Natyrisht që reagimi i sotëm duhet vlerësuar sepse ai është piramida e akuzës shqiptare. Por kur Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë foli hapur se ishte një draft që nuk është diskutuar apo debatuar me komunitetin e drejtësisë; askush nuk foli!
Sokol Sadushi bëri që ditën e parë disa pyetje përballë autorëve të Draftit dhe ambasadorit të BE:
“Disa pyetje të domosdoshme
Në këtë fazë të prezantimit të projektit dhe bërjes publike për herë të parë, natyrshëm bëhen disa pyetje të drejtpërdrejta, por të domosdoshme, për të cilat shpresoj dhe besoj se përgjigja do jetë “Po”:
- A është funksional një Kod me një strukturë kaq të ngarkuar dhe komplekse, në një sistem që ende përballet me sfida interpretimi dhe zbatimi të njëtrajtshëm?
- A ndihmon ai në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema?
- A bën një ndarje të qartë ndërmjet të drejtës penale dhe fushave të tjera të së drejtës?
- A përmbush ai misionin e drejtësisë penale moderne për të mos ndëshkuar me burgim çdo shkelje, por për të orientuar, parandaluar dhe rehabilituar?
- A flet ky Kod për qytetarin apo vetëm për profesionistët?
- A është realist në zbatim dhe i kuptueshëm për avokatin, prokurorin dhe gjyqtarin që do ta zbatojë?
- A garanton drejtësi më efektive, më humane dhe më të ndershme?
- A shmangim rrezikun që në përpjekjen për të përfshirë gjithçka, të humbasim thelbësoren?
Këto pyetje nuk synojnë të bëjnë kritikë, por të nxisin garanci. Ato janë shqetësim, por edhe shprehje e nevojës për t’u thelluar në analizën e projektit, dhe për ta testuar me përvojën e gjyqtarit dhe me pritshmëritë e qytetarit”- theksoi Sokol Sadushi.
Ndërsa me tej kryetari i Gjykatës së Lartë tha se “Ky Kod nuk është një trofe. Është një angazhim. Është një premtim që u bëjmë qytetarëve për një drejtësi më të mirë, më humane dhe më të ndershme.
Ndaj, mesazhi që dua të ndaj është i thjeshtë:
Të ndërtojmë një Kod Penal që flet qartë, dënon drejt dhe udhëzon me maturi; që synon jo thjesht ndëshkimin, por drejtësinë; që nuk ngatërron, por qartëson; që nuk frikëson, por edukon; që nuk rrit pasigurinë, por garanton barazinë.
Prandaj, ky projekt nuk duhet parë si një produkt përfundimtar, por si një thirrje për reflektim të përbashkët, ku pas një konsultimi të thelluar institucional – vendas dhe ndërkombëtar – me përfshirjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, pjesës akademike dhe shoqërisë civile, secili të japë kontribut për të pasur një Kod Penal të thjeshtë, të drejtë dhe funksional.
Vetëm një Kod Penal i ndërtuar mbi parime të shëndosha, mbi qartësi, humanizëm dhe funksionalitet, mund të sjellë një drejtësi penale që i shërben shtetit të së drejtës dhe qytetarit”- kjo ishte sentenca e asaj që kërkoi numri një i gjykatës së lartë.
Zyrtari i lartë i shtetit, ku futet edhe kryetari i gjykatës së lartë, para se gjithash shikon shtetin ligjor dhe të mirën e njerëzve.
Pra ky Draft ka nevojë të detyrueshme që të rishikohet në themel.
Lexoni edhe:
KOHA JONË SONDAZH

