Të rinjtë duan të ikin, del raporti i Gallup
Mosha e re e popullsisë është konsideruar nga ekonomistët si shpresa më e madhe e Shqipërisë drejt zhvillimit të shpejtë ekonomik. Por kjo shpresë po shuhet. Sipas një vrojtim të “Gallup”, 79 për qind e të rinjve shqiptarë nga 15-29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria. Kjo është norma më e lartë në botë, me diferencë të theksuar nga të gjitha vendet e tjera, përfshirë ato në konflikte të armatosura.
Ndër vendet e rajonit, shifra e dytë më e madhe vihet re në Bosnje-Hercegovinë, me 62 për qind, e më pas Maqedonia me 51 për qind, ndërkohë që për Serbinë dhe Malin e Zi, pjesa e të rinjve që duan të largohen është më e ulët se 50 për qind.
Por pse të rinjtë shqiptarë duan ta braktisin vendin e tyre? “Sepse nuk ka punë, sepse është shumë e vështirë jetesa”, thotë një tjetër i ri. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e dytë të vitit papunësia për moshat nga 15-29 vjeç ishte 22.6 për qind, gati dy herë më e lartë sesa papunësia mesatare. Por, më shumë sesa mungesa e punës, të rinjtë i largon humbja e shpresës.
“Sepse këtu nuk ka të ardhme”, tha një e re shqiptae. Mes të rinjve ka dhe nga ata që e shohin të ardhmen në Shqipëri. Por kjo është pakica. “Sepse po ikëm ne, kush do të qëndrojë këtu?”, tha një i ri.
KOHA JONË SONDAZH

