Të rinjtë largohen nga bujqësia, bizneset shqiptare kërkojnë punëtorë indianë
Bujqësia shqiptare po përballet me një mungesë gjithnjë e më të madhe të fuqisë punëtore. Nga veriu në jug, zgjerimi i prodhimit në sera ka rritur nevojën për mijëra punëtorë, ndërsa vendin e të rinjve shqiptarë po e zënë gjithnjë e më shumë punonjësit e huaj, veçanërisht ata nga India.
Në serat shqiptare, punëtorët e huaj janë bërë tashmë një pjesë e rëndësishme e procesit të prodhimit. Ata merren me mbjelljen dhe mirëmbajtjen e fidanëve, duke punuar në kushte të vështira, sidomos gjatë muajve të verës, kur temperaturat në sera arrijnë nivele shumë të larta.
Një prej punëtorëve indianë tregon se ka paguar rreth 3 mijë euro për të ardhur në Shqipëri. Sipas tij, paga mujore në bujqësi varion nga 500 deri në 600 euro, ndërsa strehimi përfshihet nga punëdhënësi. Krahasuar me të ardhurat që siguronte në Indi, ai thotë se puna në Shqipëri i mundëson të kursejë dhe të ndihmojë familjen që ka lënë pas.
Për disa prej tyre, puna në Shqipëri nuk është një zgjedhje e rastësishme. Ka edhe punëtorë me arsimim profesional. Një prej tyre është agronome dhe e sheh angazhimin në fidanishte si një mundësi për të fituar eksperiencë në profesionin e saj.
Megjithatë, largimi i të rinjve shqiptarë nga bujqësia po krijon një problem të madh për sektorin. Puna në sera kërkon lodhje fizike, përkushtim dhe qëndrueshmëri, ndaj shumë të rinj preferojnë të largohen drejt profesioneve të tjera ose emigrimit.
Ndërkohë, pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare ka ardhur në rënie. Bizneset po përpiqen të përballojnë mungesën e fuqisë punëtore përmes punëtorëve të huaj, por sfida mbetet më e gjerë: rikthimi i të rinjve shqiptarë te toka dhe krijimi i kushteve që bujqësia të jetë sërish një sektor tërheqës dhe fitimprurës.
KOHA JONË SONDAZH

