Të rinjtë marshim në rrugët e Tiranës, thirrje kundër Ramës: Dorëhiqu
Pas protestës të zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë, qindra protestues vijuan marshimin e tyre në rrugët kryesore të Tiranës, duke përcjellë mesazhe kundër qeverisë dhe duke bërë thirrje për ndryshim politik.
Qytetarët marshuan nën sloganet “Shqipëri e Re”, “Bashkohuni me Ne” dhe “Çohuni nga kafja”, ndërsa kërkuan më shumë angazhim qytetar dhe pjesëmarrje në jetën publike. Gjatë gjithë marshimit nuk munguan edhe thirrjet “Edi Rama dorëhiqu”, të cilat u përsëritën vazhdimisht nga pjesëmarrësit.
Protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes, duke e akuzuar ekzekutivin për korrupsion, keqqeverisje dhe mungesë transparence në administrimin e çështjeve publike. Sipas tyre, vendi ka nevojë për ndryshime të thella politike dhe institucionale për të garantuar një standard më të lartë jetese dhe më shumë mundësi për qytetarët.

