Të shesësh makinë? Ka rregulla të reja tek noteri

Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Transporteve, të Drejtësisë dhe asaj të Brendshme ka ndryshuar rregullat e kalimit të pronësisë së mjeteve nga zyrat noteriale. Rregullorja e re parashikon që të mos bëhet asnjë shit-blerje automjetesh pa verifikuar më parë nëse automjetet kanë detyrime të papaguara apo barra siguruese, shkruan ‘Shqiptarja.com’.
Udhëzimi i detyron noterët të verifikojnë numrin e identifikimit të mjetit në bazën e të dhënave aktive të ruajtura në Regjistrin e Barrëve Siguruese. Nëse mjeti rezulton i lirë nga baza e të dhënave të Regjistrit të Barrëve Siguruese, nënshkruan kontratën dhe i bashkëngjit konfirmimin përkatës. Po ashtu noteri duhet të verifikojë numrin e identifikimit të mjetit në bazën e të dhënave të DPSHTRR-së nëse dosja e mjetit është e bllokuar për arsye të ndryshme financiare dhe ligjore.

Nga ana tjetër janë shtuar edhe elementet e kontratës noteriale, e cila duhet të përmbaje: Gjeneralitetet e plota të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit; Adresat e vendbanimit të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit; Të dhënat teknike të mjetit, si: targa, numri i identifikimit, lloji, marka, emërtimi tregtar, ngjyra; Numri i serisë së lejes së qarkullimit dhe certifikatës së pronësisë vetëm kur mjeti është i regjistruar në DPSHTRR; Përgjegjësitë ligjore dhe administrative; dhe Detyrimet financiare ndaj DPSHTRR-së.

SHKARKO APP