Të veshur si picierë, arrestohet 1 nga të rinjtë që tentuan të grabisnin banesën në Tiranë, 2 në kërkim

Pas hyrjes në fuqi të masave kufizuese si shkak i pandemisë keqbërësit kanë sofistikuar metodat e grabitjes. 3 të rinj tentuan të grabisin një banesë duke u kamufluar si shpërndarës picash, por u ndeshën me rezistencën e pronarit. Policia ka arrestuar një prej autorëve ndërsa vijon puna për kapjen dhe të dy bashkëpunëtorëve të tjerë.

Ora policore e përcaktuar nga komiteti i ekspertëve ka bërë që keqbërësit të gjejnë mënyra të reja për të hyrë në banesa dhe të kryejnë grabitje.

Rasti më i fundit është regjistruar në kryeqytet ku 3 persona kishin piketuar banesën e një çifti në rrugën Gjergj Kastrioti për ta grabitur. Ata janë kamufluar si shpërndarës picash dhe janë paraqitur tek banesa e çiftit pas orës 22.

Njëri prej autorëve mbante kutinë e picave ndërsa dy të tjerët prisnin tek shkallët të veshur me rroba të zeza dhe të maskuar. Kryesori i grupit i ka rënë ziles, ndaj menjëherë tek dera e shtëpisë ka dalë kryefamiljari. I riu rreth të 30-ve, i është drejtuar grabitësve duke u thënë se nuk kanë porositur pica, ndaj i kanë rënë derës së gabuar.

Në këtë moment autori  ka kaluar në veprim menjëherë duke e goditur atë me shkelm. Më pas nga korridori i katit të shtatë kanë dalë edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve në dorë mbante një thikë. Sapo ky i fundit ka tentuar ta qëllojë 29 vjeçarin, ai ka mbyllur menjëherë derën e shtëpisë.

Në sheshpushimin e pallatit, tre picierët e rremë kanë hedhur kutinë e picës, e cila më pas u sekuestrua nga policia. Hetimi zbuloi se kutia mbante logon e një picerie me seli në Babrru.

Tashmë, policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të saj dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Identifikimi i tyre është bërë nga shenjat e gishtave që kishin lënë mbi kutinë e picës.

SHKARKO APP