Teatri “Skampa” çel sezonin artistik 2026 me projekte të reja dhe vizion kulturor

Viti artistik 2026 në Teatrin “Skampa” ka nisur me energji krijuese dhe një sërë edicionesh të menduara për publikun elbasanas dhe më gjerë. Nën drejtimin e Kliton Kapajt, ky panteon i kulturës elbasanase vijon të ruajë identitetin e tij si një hapësirë e gjallë arti, ku skena shndërrohet në vendtakim emocionesh, dhe bashkëbisedimi me publikun.
Drejtori artistik Kliton Kapaj rrëfen se sezoni i ri po ndërtohet mbi një program të kujdesshëm, ku bashkëjetojnë shfaqjet teatrore, aktivitetet muzikore dhe projektet edukuese. Aktualisht, Teatri “Skampa” ka nisur provat për komedinë “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, e cila do të shënojë edhe një nga premierat e para të vitit 2026.
E shkruar nga autori grek Yorgos Theodosiadis dhe me regji të Donard Hasanit, kjo vepër nuk është thjesht një komedi që sjell të qeshura në sallë. Përtej humorit, ajo mbart një dramë të fortë të brendshme, duke trajtuar jetën e personave me aftësi të kufizuara, përpjekjet e tyre për të jetuar, dashuruar dhe punuar normalisht, si dhe nevojën e shoqërisë për t’i mbështetur e për t’i konsideruar pjesë të barabartë të saj. Historia e tre shokëve që jetojnë bashkë dhe bien në dashuri me të njëjtën vajzë, ngre pikëpyetje dhe sjell mesazhe të fuqishme sensibilizuese.
Në këtë produksion marrin pjesë aktorët Laert Vasili, Helidon Fino, Hervin Çuli dhe Atalanta Kërçyku, me skenografi të Fatbardh Markut, duke premtuar një shfaqje dinamike dhe emocionalisht të ngarkuar për publikun.
Përtej kësaj premiere, Kliton Kapaj thekson se viti 2026 do të jetë i pasur me bashkëpunime artistike dhe aktivitete që do të shtrihen gjatë gjithë sezonit veror, për t’u pasuar nga projekte të rëndësishme që do të kulmojnë në fundvit. Ambicia mbetet që Teatri “Skampa” të vijojë të jetë një skenë e hapur, ku arti komunikon drejtpërdrejt me qytetin dhe ku çdo shfaqje ndërton një marrëdhënie të sinqertë me publikun.
Një nga kënaqësitë më të mëdha për drejtuesin e institucionit mbetet fakti se salla e teatrit është e mbushur pothuajse në çdo shfaqje, një dëshmi e qartë e dashurisë së artdashësve elbasanas për teatrin. Një sukses i veçantë është shënuar edhe me teatrin e kukullave, i cili ka njohur një audiencë shumë të gjerë që nga rihapja, duke u kthyer në një pikë referimi për fëmijët dhe familjet, pa reshtur asnjëherë aktivitetin e tij.
Teatri “Skampa” dhe Drejtoria e Artit dhe Kulturës, në varësi të Bashkisë Elbasan, vijojnë të luajnë një rol kyç në jetën kulturore të qytetit, duke mbështetur dhe promovuar artin skenik, muzikën dhe krijimtarinë artistike në të gjitha format e saj.
Në bazë të këtij sezoni të ri, qëndron një fond i pasur aktivitetesh të realizuara gjatë vitit 2025 nga Drejtoria e Artit dhe Kulturës. Gjatë vitit që lamë pas, u zhvilluan një sërë koncertesh dhe shfaqjesh, mes të cilave: koncerti në Tetovë me Ansamblin “Isuf Myzyri”, koncerti lirik me rastin e 146-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, shfaqje për fëmijë si “Elefanti që donte të fluturonte”, koncerti “Mansius”, koncerti lirik “Te Porta e Kalasë”, koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së, koncerti premierë i Orkestrës Frymore “Afërdita”, promovimi i librit të Ermir Krantjes “At’ e bir”, mbrëmja koncertore e Bandës së Ushtrisë, koncertet gala dhe të talenteve të reja në kuadër të Ditës Botërore të Muzikës, aktivitetet e krijimtarisë së Mustafa Bodinit, festimet e Ditës së Verës Elbasan 2025 dhe koncerti tradicional “Dita e Verës në Diasporë”.
Po ashtu, repertori teatror i vitit 2025 përfshiu komedinë “Ëndërr në papafingo”, komedinë rinore “Erashka”, si dhe premierat për fëmijë “Pinoku” dhe “Tom & Jerry”, duke dëshmuar një vijueshmëri dhe përkushtim të pandërprerë ndaj publikut të të gjitha moshave.
Me këtë trashëgimi artistike dhe me vizionin për sezonin 2026, Teatri “Skampa” vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të jetës kulturore në Elbasan, një skenë ku arti jeton dhe ndan emocione me publikun e tij.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?