Tedi Blushi: Presidenti do t’i drejtohet Venecias për shkeljet kushtetuese të Kuvendit

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi njoftoi sot se kreu i shtetit do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për dhënien e një opinioni, mbi shkeljet kushtetuese të Kuvendit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Në një publikim në Facebook, Blushi thotë se Kuvendi mund të vijojë me hetimin e kreut të shtetit, por kjo nuk e pengon Presidentin të kërkojë nga Venecia opinion ligjor profesional “në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Ditën e sotme, komisioni hetimor i PS-së kundër kreut të shtetit deklaroi se do të dërgonte disa pyetje në Komisionin e Venecias lidhur me betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Presidencës. Objekti i komisionit hetimor kundër kreut të shtetit ishte vetëm dekreti i anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe jo çështjet e tjera.

Deklarata e plotë e Zëdhënësit të kreut të shtetit, Tedi Blushi:

“Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij.

Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.

Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese”.

SHKARKO APP