Telekom Albania mbështet regjistrimin e të sapolindurve në Shqipëri

Telekom Albania mbështet nismën e Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me UNICEF për regjistrimin elektronik e të sapolindurve. Ky projekt mundëson transferimin e menjëhershëm të informacionit shëndetësor nga spitali ku fëmija lind, në qendrën shëndetësore parësore duke lehtësuar komunikimin. Të pranishëm në prezantimin e nismës gjatë të martës, në ambientet e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” ishin Drejtori Ekzekutiv i Telekom Albania Z. Dimitris Blatsios, Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj dhe përfaqësuesja e UNICEF-it në Shqipëri Znj. Antonella Scolamiero.

 Partneriteti midis Telekom, Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNICEF-it do të përdorë teknologjinë bashkëkohore për të siguruar se të gjithë të sapolindurit e regjistruar do kenë akses të plotë në shërbime shëndetësore.

 Falë mbështetjes së Telekom Albania, sistemi i informacionit shëndetësor për fëmijët në Shqipëri do të përmirësohet dhe përforcohet. Kontributi i kompanisë do të përdoret për të zhvilluar dhe zbatuar një model funksional që do të dixhitalizojë informacionin e përfshirë në certifikatë dhe regjistrin mjekësor në lidhje me lindjen. Gjithashtu, ky informacion do të transferohet në kohë reale nga maternitetet tek institucionet e kujdesit shëndetësor parësor. Ky projekt do të ndihmojë në veçanti fëmijët që jetojnë në zona të thella për të pasur akses në shërbimet shëndetësore.

 Regjistrimi në lindje është i përhershëm dhe zyrtar për ekzistencës e fëmijës pasi nëpërmjet tij gëzon të drejta themelore për shtetësi dhe shërbime bazë shëndetësore si: vaksinimi, kujdesi shëndetësor, regjistrimi në shkollë në moshën e duhur etj.

 Telekom Albania përmes kontributit të saj ka për qëllim të përmirësojë kuadrin ligjor; të lehtësojë zhvillimin e kapaciteteve për ofruesit e kujdesit shëndetësor; të përmirësojë sistemin e informacionit shëndetësor.

 Drejtori Ekzekutiv i Telekom Albania Z.Dimitris Blatsios në fjalën e tij u shpreh se: “Për Telekom ky partneritet është një tjetër shembull se si kompania kontribuon për të përmirësuar jetën dhe shoqërinë. Teknologjia e ditëve të sotme është e domosdoshme edhe në ndërveprimin më të zakonshëm midis njerëzve. Ky projekt do të ofrojë një kujdes shëndetësor të përmirësuar për të gjithë fëmijët, përfshirë fëmijët në zonat e thella. Telekom Albania do të vijojë angazhimin e vet për të dhënë kontribut aktiv në sistemin shëndetësor dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.”

 Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë mbështetje institucionale për zbatimin e ndërhyrjeve. Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj gjatë fjalës së tij u shpreh se: “Dua të falënderoj Telekom pasi me mbështetjen e ofruar mundësohet transferimi i menjëhershëm i informacionit shëndetësor nga spitali ku fëmija lind në qendrën shëndetësore parësore duke lehtësuar komunikimin. Jam i kënaqur që kësaj përpjekje i bashkohet edhe një kompani e madhe si Telekom pasi ndikojnë në të mirat publike të vendit duke zhvilluar përgjegjësitë e tyre sociale. Besoj se teknologjia e informacionit dhe komunikimit është instrumenti i duhur për të rrëzuar barrierat financiare, gjeografike apo sociale. Edhe njëherë falënderoj Telekom për bujarinë”.

 UNICEF-i do të kërkojë ekspertizë teknike nga Instituti i Shëndetit Publik gjatë procesit të studimit të zbatueshmërisë për planifikimin e ndërhyrjeve dhe për sigurimin e cilësisë.

 Përfaqësuesja e UNICEF–it në Shqipëri Znj. Antonella Scolamiero u shpreh se: “UNICEF dëshiron të përgëzojë Telekom për këtë kontribut bujar dhe për angazhimin në shëndetin e fëmijëve në Shqipëri. Ky kontribut do të ndihmojë UNICEF-in dhe Ministrinë e Shëndetësisë në përforcimin e mbledhjes dhe administrimit të informacionit të kujdesit shëndetësor parësor, veçanërisht atyre që jetojnë në zona të thella të vendit. Ky instrument do tu ofrojë informacion në kohë reale ofruesve të kujdesit shëndetësor lidhur me lindjen e fëmijëve”.

 Telekom Albania, pjesë e grupit ndërkombëtar të telekomunikacionit Deutsche Telekom ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në sistem shëndetësor shqiptar. Pjesa më e madhe e kontributit të kompanisë gjatë këtyre 20 viteve ka qenë në përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve. Ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen me të tjera projekte.

SHKARKO APP