Telekom mbështet kurimin për kafshët e rrugës

 

Bashkia e Tiranës me mbështetjen e Telekom Albania kanë prezantuar të martën zgjidhjen e problemit për qentë e rrugës, të cilët ishin kthyer në një shqetësim për banorët e kryeqytetit. Tashmë, këto kafshë do të trajtohen në një klinikë veterinare me standarde bashkëkohore në zonën e ish-Kombinatit.

Të pranishëm në ambientet e Klinikës Veterinare ishin përfaqësues të Telekom Albania, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Z. Erion Veliaj, përfaqësues të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit si dhe një grup me vullnetarë.

Menaxherja e marrëdhënieve të korporatës në Telekom Albania, Znj. Ornela Bego u shpreh se “për ne është një kënaqësi e veçantë që u bëmë pjesë e këtij projekti. Është një projekt pionier, për herë të parë ndodh që një institucion shtetëror si ai i Bashkisë së Tiranës të merret me shëndetin e kafshëve. Por, shëndeti i kafshëve është i lidhur edhe me shëndetin e qytetarëve tanë, kështu që na u duk mjaft interesante për t`u bashkuar. Dhe jo vetëm në këtë fazë, shpresojmë të ketë faza të tjera dhe do të jemi përkrah jush edhe në krijimin e strehëzave ose fushatave për ndërgjegjësimin e qytetarëve, në mënyrën sesi ne duhet ti trajtojmë kafshët dhe të jemi më pranë tyre”.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës ftoi të gjithë qytetarët që të adoptojnë kafshët të cilët janë të shëndetshëm dhe të çertifikuar nga klinika veterinare si dhe falënderoi Telekom Albania për mbështetjen e dhënë.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit është institucioni përgjegjës për klinikën veterinare dhe ata parashikojnë që në këtë qendër të trajtohen rreth 15 qen në ditë. Telekom do të vazhdojë të mbështesë nisma të tilla sociale që ndikojnë në përmirësimin e jetës qytetare.

SHKARKO APP