Tenderat e ushqimeve në kopshtet dhe çerdhet e Gjirokastrës, në garë vetëm një kompani
Bashkia e Gjirokastër nën drejtimin e Flamur Golemit rezulton të ketë zhvilluar një tender të ndarë në 6 lote për blerjen e ushqimeve për kopshte, çerdhe dhe konvikte me një shumë totale 9.4 milionë lekë.
Referuar të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike 4 prej këtyre loteve i ka fituar Gëzim Sino.
Konkretisht, ky subjekt është shpallur fitues për blerjen e qumështit dhe nënprodukteve të tij, mishit, vezëve dhe fruta perimeve.
Në tre procedura disa nga konkurentët janë skualifikuar pasi është konstatuar mangësi te kriteret e veçanta të kualifikimit të përcaktuara në Dokumentat Standarde të Tenderit, ndërsa subjekti M.C. Catering në dy raste ka vendosur të tërhiqet nga procedura.
Duke lënë kështu në garë vetëm Gëzim Sinon që automatikisht është shpallur dhe fituesi.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit Sino rezulton të ketë qenë nën masën e sekuestros konservative në aksionet, kuotat si dhe të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i tyre pasi ishte debitor.
Në fakt Sino rezulton të ketë qenë nën masën e sekuestros kur ka marrë pjesë në këtë procedurë pasi gara është hapur në janar dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave ka qenë data 3 shkurt.
Masa e sekuestros konservative ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2019 dhe është hequr në 19 shkurt të këtij viti.
Përsa i përket dy loteve të tjera fituesi rezulton pikërisht subjekti M.C. Catering i cili ishte tërhequr nga dy procedura. /Ora News