Tensione dhe debate në Këshillin Bashkiak të Maliqit, të majtët braktisin mbledhjen, i moshuari kërcënon t’i godasë më shkop
Këshilltarët e majtë kanë braktisur mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e cila ishte thirrur jashtë radhe me kërkesë të opozitës.
Mësohet se mbledhja nisi rreth orës 10:00, por zgjati vetëm rreth 20 minuta. Në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak të Maliqit për t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë, për ndarjen e re administrativo-territoriale.
Situata u tensionua pasi grupi i këshilltarëve të majtë deklaroi se nuk do të merrte pjesë në vendimmarrje lidhur me propozimin që duhet t’i dërgohet Kuvendit.
Pas kësaj deklarate, kryetari i Këshillit Bashkiak njoftoi mbylljen e mbledhjes, vendim që shkaktoi reagime të forta nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët e pranishëm në sallë.
“Ulu atje! Kush e mbyll mbledhjen? Ulu shpejt!”, tha një qytetar duke tundur bastunin e tij.
“Luani me popullin ju? Ç’bëhet kështu?”
“Si s’ju vjen turp more?”, kundërshtuan të tjerët.
Sipas pamjeve nga mbledhja, këshilltarët e majtë u larguan nga salla brenda pak sekondash, ndërsa këshilltarët e opozitës vijuan diskutimet dhe deklaratat e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

