Tensione në aeroportin e Vlorës, policia në terren pas konfliktit mes ortakëve të koncesionit

Forca të shumta policie janë dislokuar mëngjesin e sotëm në ambientet e aeroportit të Vlorë, pas tensioneve të krijuara mes kompanive “2A Group” të biznesmenit Valon Ademi dhe “Mabco Construction” të Behgjet Pacolli, dy ortakëve të projektit për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Sipas burimeve nga terreni, përplasjet nisën një ditë më parë, kur punonjësit e “2A Group” nuk lejuan hyrjen në kantier të 22 nënkontraktorëve të thirrur nga kompania e Pacollit për kryerjen e punimeve në aeroport. Në reagim, nënkontraktorët bllokuan hyrje-daljen kryesore të kantierit, duke penguar lëvizjen e automjeteve të kompanisë tjetër.

Konflikti mes palëve lidhet me mosmarrëveshjet mbi administrimin dhe aksionet e shoqërisë koncesionare të aeroportit, çështje që prej muajsh po shqyrtohet në gjykatë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas “2A Group”, kompania “Mabco” ka ndërmarrë veprime të njëanshme lidhur me administrimin e shoqërisë dhe pezullimin e kontratave, pa miratim të asamblesë së ortakëve. Nga ana tjetër, kompania e Ademit ka kërkuar në gjykatë pezullimin e të drejtës së votës së ortakut tjetër për çështjet që lidhen me tjetërsimin e aksioneve të aeroportit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjykata e Apelit ka vendosur më herët një masë sigurimi padie, duke i njohur “2A Group” të drejtën e administrimit të aeroportit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes në themel.

Në qendër të debatit është edhe një kontratë kredie prej 100 milionë eurosh e marrë nga “Mabco Construction” përmes fondit “Delphos”, marrëveshje që kundërshtohet nga pala tjetër, e cila pretendon se rrezikon tjetërsimin e aksioneve të aeroportit.

Përveç konfliktit civil, ndaj Behgjet Pacolli, vëllait të tij Emin Pacolli dhe administratorit të kompanisë mëmë në Zvicër, Nelson Çela, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda, mashtrimit kompjuterik dhe falsifikimit të dokumenteve.

Ndërkohë, SPAK po heton procedurat e koncesionit të aeroportit të Vlorës, për të cilat dyshohet se janë kryer në kundërshtim me ligjin. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se janë marrë të pandehur tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët në vitin 2021 shpallën fitues konsorciumin e përbërë nga “Mabco Construction”, kompania turke YDA dhe “2A Group”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?