Persona me maska, nga turma, sulmojnë komisariatin nr.3 në Tiranë

Mbrëmjen e djeshme, pas një tubimi fillimisht paqësor të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protesta u përshkallëzua gjatë marshimit drejt Komisariatit Nr. 3, duke marrë një karakter më agresiv.

Një numër i konsiderueshëm protestuesish u grumbulluan përpara godinës së policisë, me pretendimin se brenda saj ndodheshin disa nga personat e ndaluar pas incidenteve të regjistruara të enjten, si para ashtu edhe gjatë seancës plenare në Kuvend. Situata u tensionua ndërsa turma qëndronte para institucionit, ku fillimisht u vendosën dhjetëra protestues në hyrje të komisariatit, përballë disa efektivëve të policisë që ndodheshin brenda dhe përpiqeshin të komunikonin dhe të kërkonin që turma të tërhiqej.

Megjithatë, situata nuk u normalizua, pasi një pjesë e protestuesve, disa prej të cilëve të maskuar, u pozicionuan në krye të turmës dhe nisën veprime të dhunshme ndaj godinës. Fillimisht u thyen xhamat e jashtëm të komisariatit, ndërsa më pas disa prej tyre arritën të depërtojnë në ambientet e brendshme, ku kanë dëmtuar orendi dhe pajisje të ndryshme që ndodheshin në holl.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë incidentit, një nga efektivet e policisë u lëndua në dorë teksa ndodhej përballë protestuesve dhe më pas është transportuar për ndihmë mjekësore në spital.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pas përshkallëzimit të situatës, forcat e policisë ndërhynë me mjete të specializuara, përfshirë edhe autobotin e ujit, si dhe me një prani të shtuar efektivësh në terren. Falë ndërhyrjes, situata u vu nën kontroll brenda një kohe të shkurtër dhe u rikthye qetësia në zonë.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune, ndërsa priten veprime të mëtejshme ligjore dhe arrestime shtesë në vijim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?