Tenton të vrasë shokun, burg për laçjanin

Gjykata e Laçit ka caktuar masën e “arrestit në burg” për Artur Jakupin, arrestuar pak ditë më parë nga RENEA në fshatin Godull. Ndaj Jakupit, është ngritur akuza e vrasjes me dashje mbetur në tentativë ndaj shokut të tij, Denis Mesi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2019 në një fshat të Laçit. Të dy personazhet e kësaj ngjarje janë të skeduar nga policia si persona që merren me kultivimin e lëndëve narkotike.

Ende nuk dihet motivi i tentativës së vrasjes ndaj Denis Mesit, por mendohet se një sherr banal mes tyre ka sjellë dhe përdorimin e armëve. Pas ngjarjes Jakupi është larguar me shpejtësi ndërsa ka qëndruar i fshehur, deri në momentin kur në banesën e tij, kanë hyrë forcat e policisë dhe e kanë arrestuar.

Teksa është shoqëruar në komisariatin e Laçit, policia ka mësuar se Jakupi ishte në kërkim edhe nga drejtësia Italiane, pasi një mandat arresti është lëshuar për këtë person për akuzën e “Vjedhjes me armë”, “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

/Shqiptarja.com

SHKARKO APP