Tërmet i fuqishëm në Gjirokastër. Lëkundjet ndjehen edhe në Tiranë
Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë rreth orës 22:16 minuta në kryeqytet. Lëkundjet kanë zgjatur për disa sekonda.
Mësohet se epiqendra e tërmetit ka qenë në afërsi të kufirit mes Greqisë dhe Shqipërisë. Qendrat sizmologjike ndërkombëtare raportojnë se tërmeti ka qenë i shkallës 5.3 dhe vlerësohet si goditje e fortë.
Lëkundjet më të forta janë ndjerë në qytetin e Sarandës, Delvinës Gjirokastrës dhe në gjithë jugun e vendit, gjë që ka shkaktua panik të banorët.
Nuk ka të dhëna për dëme materiale, por banorët e zonave Delvinë dhe Sarandë kanë dalë në rrugë nga frika e lëkundjeve të reja .
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, u shpreh në një lidhje telefonike për Report Tv se tërmeti nuk ka shkaktuar dëme në jetë njerëzore apo dhe materiale në territorin shqiptar. Prençi tha se tërmeti i cili goditi Greqinë Veriore ka pasur një magnitudë prej 5.6 ballë të shkallës rihter. Ai theksoi se tërmeti është ndjerë në qytetet e Jugut dhe juglindjes së Shqipërisë, çka ka shkaktuar panik mes qytetarëve.
“Deri në këto momente nuk ka asnjë dëm të shkaktuar në territorin shqiptar. është ndjekur situata dhe epiqendra e tërmetit ka qenë në Greqi. është ndjerë në qytetet e jugut dhe juglindjes së Shqipërisë. Nuk ka raportime për dëme në territorin shqitpar. Po mbajmë kontakt me shërbimet e emergjencës civile greke, për të konstatuar dëmet e shkaktuara në zonën e Janinës. Po marrim informacione të vazhdueshme nga Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile dhe në fakt, nga informacionet ka panik nga qytetarët, por nuk ka dëme nga ky tërmet”, u shpreh Prençi. Ai këshilloi qytetarët e zonave të prekura nga lëkundjet që të shmangin banesat e armotizuara dhe të qëndrojnë të paktën 60 minuta jashtë tyre.
“Të qëndrojnë 60 minuta në shesh, të shmangin banesat e amortizuara, për t’i paraprirë kështu lëkundjeve të dyta apo të treta nga tërmeti”, theksoi Prençi.
Ai shtoi gjithashtu se bashkitë dhe prefekturat e prekura nga lëkundjet po raportojnë për situatën. Prençi tha se ende nuk ka informacione të detajuara nëse tërmeti ka shkaktuar dëme njerëzore apo materiale në Greqinë Veriore, aty ku ishte edhe epiqendra e tij.
“Në Greqi tërmeti është raportuar 5.6 ballë shkalla rihter. Por ende nuk kemi informacione nëse ka dëme të shkaktuara atje”, tha Prençi.