Tërmeti i 26 nëntorit, Ndreu: Banorët “e dëmtuar” trajtohen me bonus qiraje, afati i fundit është rindërtimi i banesave

Dy fatkeqësi që pasuan njëra-tjetrën, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e koronavirusit duket se ka lënë një shenjë në ekonominë shqiptare.

Sërish pas shumë muajsh vijon procesi i rindërtimit të banesave apo objekteve të dëmtuara nga tërmeti në vendet e prekura.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha se një pjesë e mirë e familjeve në qytet kanë marrë dëmshpërblim.

Në një intervistë për Ora News ai gjithashtu deklaroi se procesi i rindërtimit vijon, e ndërkohë shumë familje, shtëpia e të cilëve është dëmtuar, vijojnë të marrin bonusin e qirasë.

Ai thotë se afati i fundit i këtij bonusi do të jetë ndërtimi i plotë i banesave të tyre.

Ndreu: Është në fazën e ekzekutimit të dëmshpërblimeve të të dëmtuarve nga tërmeti. Aktualisht në Lezhë janë 866 familje të cilëve u ka kaluar pagesa në postë për dëmshpërblimin. Ndërkohë janë në proces rindërtimi disa objekte të tjera. Pas shkollave që janë në proces ndërtimi do të kalohet dhe në rindërtimin e disa pallateve dhe shtëpiave individuale që aktualisht janë në procesin e fundit të verifikimeve. Ne vazhdojmë të trajtojmë shumë familje me bonus qiraje. Afati përfundimtar i dhënies së qirave do të jetë ndërtimi i banesave të reja.

E gjithashtu një ndër sektorët më të prekur të koronavirusit është turizmi. Plazhet e Lezhës janë një destinacion i preferuar nga shumë pushues.

Por Pjerin Ndreu thotë se turizmi nuk është në nivelin e duhur dhe se shumë operatorë turistikë punojnë me një kapacitet të reduktuar.

Ndreu: Impakti i koronavirusit ndihet dukshëm sidomos tek turizmi. Deri tani turizmi nuk është në nivelin e duhur. Mbyllja e kufijve ka pasur një peshë në turizëm. Ka kapacitete shumë të ulëta. Fundjava është koha e vetme ku ka më shumë pjesëmarrje dhe lëvizje. Edhe biznesi në tërësi ka një lëvizje të ngadaltë. Protokollet kanë bërë punën e vetë pasi dhe ato që punojnë, kanë ulur kapacitetet dhe respektojnë protokollet për të ruajtur jetën e njerëzve. Ka një problem që qytetarët shqiptarë qahen sikur kjo situatë na ka kapur vetëm ne. Kjo është një situatë globale dhe nuk na ka kapur vetëm ne.

Në krahasim me vitin e kaluar, mund të them që kemi një reduktim me afërsisht 50 përqind të turistëve por kjo varet në vende të ndryshme. Një resort thotë që ka një ulje me 80 përqind nga vjet ndërsa një resort tjetër jep një shifër tjetër. Duhet ta themi se dhe protokollet shëndetësore kanë kufizuar ardhjen e njerëzve dhe lëvizjen në plazhe. Është një problematikë komplekse që limiton pjesëmarrjen në plazh. Nëse do të flasim për vendet nga vijnë, kryesisht janë shqiptarë, kosovarë.

SHKARKO APP