Tërmeti shkatërroi 32 shkolla në Durrës, nxënësit nesër me 4 turne! Prindërit në Fier: E paguajmë vetë furgonin
Viti i ri shkollor pritet të nisë me një sërë problematikash. Në Durrës mësimi do të zhvillohet me tre apo katër turne. Ndryshe nga qytete e tjera, Durrësi ka një specifikë të veçantë në këtë vit të ri shkollor pasi nuk bëhet fjalë vetëm për masat e marra për Covid-in, por edhe për dëmtimet që la pas tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. Si pasojë e lëkundjeve sizmike u dëmtuan shumë shkolla, disa prej tyre janë shembur për t’u rindërtuar.
Pra, këtë vit shkollor nxënësit e 32 shkollave të shkatërruara nga tërmeti do përballen me vështirësi. Janë plot 12 mijë nxënës që do të duhet të sistemohen në shkolla pritëse dhe është menduar që mësimi në disa prej tyre të zhvillohet deri me 4 turne. Burime nga drejtoria arsimore thonë se kjo do të zgjasë të paktën 3 deri 4 muaj pasi besojnë se rindërtimi i shkollave të dëmtuara nga tërmeti do të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.
Nga të dhënat e Zyres Vendore Arsimore Durrës mësohet se në ciklin parauniversitar do të ndjekin mësimin 24.624 nxënës nga të cilët 1.777 për herë të parë. Ndërkaq në Fier prindërit renditin të tjera problematika.
Prindërit janë gëzuar për faktin se do dërgojnë fëmijët në shkollë, por janë të shqetësuar se si do t’i menaxhojnë turnet. Për prindërit që punojnë do të shtohen kostot se duhet të sigurojnë transportin me shpenzimet e tyre ose do detyrohen të lënë punën.
“Vështirë e kemi se kam dy fëmijë do jenë në turne të ndryshme. Jemi në punë do t’i çojmë me furgon. 15 mijë lekë për një fëmijë, kam dy dhe do shkojë 30 në muaj” thanë disa nga prindërit.
Prindërit nuk fshehin frikën ndaj koronavirusit. “Do t’ju japim doreza, maska dhe alkool me vete. Frikën e kemi, aty duhet të kenë kujdes të rrinë larg njëri-tjetrit dhe mësuesit të mbajnë maska të jenë të kujdesshëm”.
Edhe në Vlorë përgatitjet për nisjen e shkollave janë drejt fundit. Drejtoresha e Arsimit Alma Bakiu tregon se do jenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shëndetësor. “Do nisë normalisht nesër po do jemi në kontakt me shëndetin publik për të evidentuar cdo ditë nëse do të shfaqen raste. Jemi duke shpërndarë maskat e fundit për nxënësit”.
/Abcnews.al