Tërmeti, sizmologu Duni: Paslëkundjet do të vijojnë
Sizmologu Llambro Duni, thotë se lëkundjet e tërmetit të regjistruara gjatë kësaj të hëne janë paslëkundje të tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
”Po, ishte një tërmet. Është paslëklundje e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Mjedisi tektonik ku ka ndodhur ngjarja e 26 nëntorit dhe në vijim është i komplikuar. Nuk është se kemi një thyerje të vetme, e cila gjeneroi atë tërmet, dhe më tej do të kishim një shuarje graduale të aktivitetit por kemi disa thyerje tektonike, që shkaktojnë akumulim tensionesh dhe sjellin tërmete edhe në një kohë të gjatë. Lëkundja është një postlëkundje e tërmetit të 26 nëntorit”.
I pyetur nëse duhet të kemi frikë nga këto lëkundje, Duni theksoi se këto lëkundje janë normale dhe nuk kemi pse frikësohemi, me përjashtim të rasteve, kur banesat janë të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit dhe janë në gjendje të vështirë ekuilibri.