Tërmeti tragjik/Bashkia e Tiranës shemb godinën e shkollës së Pezës

Bashkia e Tiranës ka shembur godinën e shkollës në Pezë të Tiranës, pasi u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjatë inspektimit të kësaj godine, kreu i bashkisë së Tiranës u shpreh se i njëjti proces do të kryhet për çdo ndërtesë që nuk ofron siguri, qoftë kjo një ndërtim privat apo një objekt publik.

“Jemi në një situatë ku nuk do marrim asnjë risk në qytetin e Tiranës. Për të gjitha ndërtesat që janë certifikuar si të pabanueshme ose të papërdorshme, do të fillojmë procesin e prishjes, për t’i bërë më të reja dhe më të bukura. Rasti i parë është rasti i shkollës në Pezë, e cila në tërmetin e datës 21 shtator pati pak dëmtime, kurse në tërmetin e 26 nëntorit pati dëmtime në konstruksion. Është një shkollë 40-50 vjeçare, për 200 nxënës por do ta bëjmë më të madhe, për 300 nxënës, do të shtojmë edhe palestrën”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Tirana nuk mund të rrezikojë jetët e qytetarëve të saj për ndërtime që nuk ofrojnë garanci se janë mjaftueshmërisht të qëndrueshme dhe që nuk përbëjnë rrezik për të ardhmen. “Në këtë fazë është shumë e rëndësishme, nëse është shkollë, apo nëse është një ndërtesë industriale, apo nëse është një ndërtesë private, siç mund të jenë pallatet, kur vendimi zyrtar thotë se janë të pabanueshme, nuk do marrim më asnjë risk. Duhet që nga çdo eksperiencë, nga çdo sfidë, të bëhemi më të përgatitur për sfidën dhe eksperiencën e ardhshme”, tha Veliaj.

SHKARKO APP