Terror shpërthimesh në Bruksel, me dhjetëra të vrarë e të plagosur (foto)
Europa ka pësuar sot një tjetër goditje të fortë nga sulmet terroriste, teksa disa të tilla mësohet se kanë ndodhur në Bruksel, pikërisht aty ku ndodhen edhe selitë kryesore të misioneve evropiane.
Kështu, siç raportojnë mediat e huaja kryeqyteti i Belgjikës është goditur mëngjesin e sotëm nga 4 sulme shpërthyese, të cilat kanë shkaktuar me dhjetëra të vrarë e të plagosur. Të paktën 134 të vdekur e 55 të plagosur deri më tani sipas të dhënave paraprake nga autoritetet belge.
Teksa mjaft makina ambulance po transportojnë të plagosurit në qendrat spitalore më të afërta, ndërkohë që policia dhe ushtria kanë nisur kontrollet në zona të ndryshme të qytetit.
Thuhet gjithashtu se të paktën dy bomba të tjera janë zbuluar në kohë, para se të shpërthenin.
Ngjarja u regjistrua konkretisht mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta.
Sakaq, mediat belge raportojnë se para shpërthimeve ka pasur të shtëna me armë dhe thirrje në arabisht.
Dëshmitarët në vendngjarje thanë se ndjenë tronditjen e fortë të shpërthimeve, që besohet se ishin përqendruar në sportelin e kontrollit të linjës së fluturimit “American Airlines”.
Fotografi nga brenda sallës së pritjes tregojnë dyshemenë e mbuluar në tjegulla të rëna dhe pluhur si dhe njerëz të gjakosur duke dalë nga aeroporti. Të tjerë të plagosur janë fotografuar të shtrirë në dysheme.
Kurse të tjera foto nga jashtë tregojnë dritaret e terminalit të thyera nga forca e shpërthimit, tymin që ngrihet lart në qiell dhe pasagjerët të tmerruar që vrapojnë të largohen, të tjerë të gjakosur.
Zyrtarët e aeroportit konfirmuan se aeroporti është mbyllur. Trafiku hekurudhor në aeroport ka qenë gjithashtu i pezulluar.
Incidenti vjen në një kohë kur kryeqyteti belg ishte në gjendje të lartë gatishmërie pas arrestimit të të dyshuarit të sulmeve terroriste në Paris, Salah Abdeslam vetëm katër ditë më parë. Dhe prandaj, dyshohet se sulmi në aeroport mund të jetë në shenjë hakmarrje për arrestimin e tij.