Terrorizmi, i rrezikshëm, po aq sa edhe fashizmi
Organizatat e veteranëve të vendeve të rajonit, të angazhuara në betejën për paqen e sigurinë globale
Nga: Halil Rama &Nikolla Sudar
“Terrorizmi, i rrezikshëm, po aq sa edhe fashizmi”. Kjo ishte tema e Konferencës Ndërkombëtare tre-ditore që u mbajt në Zabljak të Malit të Zi, me pjesëmarrës nga Organizatat e veteranëve të vendeve të rajonit. Është fakt që në veprimtaritë e ndryshme me karakter politik, patriotik e social gjithmonë ka qene i dukshëm kontributi i madh dhe i përhershëm i veteranëve. Pikërisht, pse vlerësohet ky kontribut, kreu i OBVL-së, gjenerali shqiptar 98-vjeçar, Rrahman Parllaku pritet si Hero Legjendar edhe në evente si ai i 12 Korrikut të këtij viti. Gjenerali, legjendë në kufirin e dy kohëve, që para shtatëdekadave drejtoi Divizionin e V Sulmues të ushtrisë shqiptare në luftën për çlirimin e viseve të Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës zë vend nderi edhe në këtë Konferencë Ndërkombëtare për rolin dhe detyrat e veteranëve në luftë kundër terrorizmit. E evidentoi më së miri këtë fakt, jo vetëm kreu i veteranëve malazezë, Prof. Dr.Ljubomir Sekuliq, duke shprehur admirimin dhe respektin e veçantë për Heroin e Popullit dhe Nderin e Kombit shqiptar, Rrahman Parllaku, por edhe Presidenti i Federatës Botërore të Veteranëve, norvegjezi Dan Vigo Bergtun. Emocione të fuqishme ngjalli gjeneral Parllaku, jo vetëm me prezencën e vitalitetin e tij, por dhe me mesazhet që përcolli, edhe tek përfaqësuesit e delegacione të veteranëve nga Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnjë- Hercegovina etj.
Fjala e kryetarit të delegacionit shqiptar, legjendës së gjallë të këtij vendi, gjeneralit të pamposhtur 98-vjeçar, këtij kolosi fisnik, që fitoi menjëherë admirimin e të gjithëve të pranishmëve, z. Rrahman Parllaku, u prit me interes të jashtëzakonshëm. “Ndihem i privilegjuar dhe me fat, që në moshën 98-vjeçare më jepet rasti të flas për angazhimin tonë në luftën pa kompromis kundër terrorizmit botëror. Ashtu si para 72 vitesh, pasi kishim çliruar Shqipërinë me forcat tona, në kuadrin e Aleancës Antifashiste të Popujve, në krye të Divizionit të V-të dhamë kontributin tonë për çlirimin e Kosovës, Bosnjës e Sanxhakut, ndërsa Divizioni VI luftoi edhe në Mal të Zi, edhe sot ne, veteranët e LANÇ të popullit shqiptar mbështesim pa rezerva luftën kundër këtij armiku, të rrezikshëm, po aq sa edhe fashizmi”,-theksoi gjeneral Parllaku. Ai vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare në koalicionin botëror kundër terrorizmit, në kuadrin e NATO-s. “Ashtu, si para shtatë dekadash u rreshtuam përkrah forcave progresiste të Perëndimit edhe sot ne jemi më të vendosur se kurrë për të përmbushur angazhimet dhe detyrimet tona në këtë Aleancë”,-tha ndër të tjera kreu i OBVL të popullit shqiptar.
Terrorizmi dhe fashizmi, rrezik permanent
Në Referatin kryesor të kësaj konference, ish ministri i mbrojtjes së Malit të Zi (tashmë ambasador në Kroaci), z. Borisllav Vuçiniç, e vuri theksin tek terrorizmi si rrezik global. Përsa i përket debatit serioz, sesa problemi i përshkallëzimit të terrorizmit do të ndikonte në sigurinë globale, ai ka nënvizuar tezën e Buzanit (Buzan – Hansen, 2009, f. 254), nëse lufta globale kundër terrorizmit do ta përcaktojë erën e re të sigurisë ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, mbetet çështje e hapur, pas serisë së sulmeve terroriste në Paris, Stamboll dhe pjesë të tjera të botës. Referuar këtyre, por edhe ngjarjeve të tjera tragjike z. Vuçinicc konkludon se: “… Një shkallë gjithnjë më e lartë integrimi kërkohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që është parakusht dhe një orientim i mirë për organizimin politik në NATO dhe BE. Vetëm duke qenë pjesë e këtyre strukturave të sigurisë, mundësohet marrja e të dhënave të domosdoshme që do të shërbejnë për arritjen e sigurisë kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nën këtë optikë folën edhe përfaqësues të veteranëve nga Sllovenia, Serbia , Bosnja-Hercegovina, Kroacia etj..
Aashtu si gjeneral Parllaku, edhe përfaqësuesi boshnjak, Dr. Bakir Nakasi theksoi se kurrsesi terrorizmi sot nuk duhet ngatërruar me mësimet e Islamit. “Përshkallëzimi i terrorizmit të shpie në konfrontim, në luftë të vërtetë. Kam qenë drejtor spitali në Sarajevë, kur bombardohej ky qytet dhe kur vdisnin njerëz të pafajshëm. Mirëpo përpjekjet tona si veteranë në Bosnjë e Hercegovinë kundër terrorizmit dhe kundër shfaqjeve neofashiste janë të vështira për shkak të dasive që ekzistojnë edhe sot. Megjithatë, ato duhen vazhduar pa ndërprerje”, -tha ndër të tjera Dr. Bakir Nakasi.
Me mjaft interes u prit edhe fjala e delegatit kroat, z. Jovan Veinovicc, i cili e konsideroi terrorizmin si rrezikun më të madhe real në kohët që jetojmë. Për faktin se Terrorizmi dhe fashizmi janë sot rrezik permanent, Veinovicc e konsideron më se të domosdoshme të njihen rrënjët e kësaj së keqeje të madhe”.
123 vende në Federatën Botërore të Veteranëve me mbi 150 milionë anëtarë
Më së miri i analizoi pasojat e terrorizmit botëror President i Federatës Botërore të Veteranëve, z. Vigo Bergtun. Duke e vënë thekson te domosdoshmëria e angazhimit të veteranëve në këtë betejë globale, norvegjezi energjik dhe mjaft komunikues, në krye të kësaj federate bëri një analizë të plotë të organizimit të saj, që sot është e shtrirë në 123 vende dhe që në radhët e saj përfshin mbi 150 milionë anëtarë. Pasi u solidarizua plotësisht me mendimet e diskutantëve për luftën pa kompromis kundër terrorizmit, ai nënvizoi rastet kur është kaluar në politizim të skajshëm të problemeve, duke harruar kështu detyrën kryesore. “Angazhim i madh për të gjitha organizatat e veteranëve në botë është koordinimi i aktiviteteve dhe informacioneve për të rritur gjithnjë e më tepër ndërgjegjësimin e njerëzve në luftën kundër terrorizmit, varfërisë, diskriminimit dhe shumë shfaqjeve të dëmshme kudo në botë”, tha kreu i Federatës Botërore të Veteranëve. Z. Vigo Bergtun nënvizoi më pas si detyrë shumë të rëndësishme forcimin e lidhjeve me Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe sigurimin e mjeteve financiare në shërbim të synimeve të organizatës. Ai u shpreh gjithashtu për zgjerimin në të ardhmen të aktiviteteve sipas grupeve të punës (të ndarë në territore), duke zhvilluar veprimtari masive në vende të ndryshme me tematikë bashkëkohore. “Ne e kemi në qendër të vëmendjes edhe kujdesin për masën e veteranëve. Ata meritojmë shumë në këtë drejtim. Perspektiva për të ngritur në Igallo të Malit të Zi një qendër rehabilitimi për veteranët do të jetë një tregues faktik i kujdesit tonë”,-tha ndër të tjera Vigo Bergtun.
Në përfundim të gjithë pjesëmarrësit miratuan një deklaratë të përbashkët. Në frymën e problematikës konkrete dhe analizës së bërë u përcaktuan detyrat aktuale dhe të perspektivës për të ardhmen e të gjitha organizatave të veteranëve për rajonin tonë.
Zabljak – qyteti turistik në prehër të maleve
Një pritje shumë e ngrohtë iu rezervua të gjithë delegacioneve në bashkinë e qytetit dhe më pas u vizitua ekspozita historike kushtuar 75-vjetorit të fillimit të kryengritjes antifashiste. Me dokumente dhe fotografi të kohës jepej një pasqyrë bindëse mbi këtë ngjarje të madhe të historisë së popullit malazez.
Qyteti i mrekullueshëm turistik, Zabljak, nga më të bukurit në Ballkan dhe në Europë, ndodhet në skajin verior të Republikë së Malit të Zi, në lartësi mbi 1400 metra mbi nivelin e detit. Qyteti modest nga popullsia që nuk i kalonte të 3500 banorët, të tërhiqte me unikalitetin e vet: peizazhe të mrekullueshëm ku mbisundonte bredhi shtatlartë me hijeshi të rrallë. Në periferi të qytetit shtrihej liqeni i mahnitshëm i emërtuar “Liqeni i Zi”, mbase për shkak të dendësisë së madhe të bredhave që e rrethonin nga të katër anët, mbi të cilin ngrihej madhështor mali me emërtimin “Maja e Ariut”.
Të bënte përshtypje vargu pa mbarim i vendasve dhe turistëve që e vizitonin këtë qendër të rrallë turistike.
Vetë qyteti të tërheq me bukurinë e tij unikale: ndërtesat të gjitha, që nga ato njëkatëshe e deri në ato shumëkatëshe, të habisin me stilin e tyre alpin dhe të ndërtuara pothuajse prej druri. Ato të japin përshtypjen sikur ndodhesh në një qendër shumë të rëndësishme në Alpet e Austrisë. Pllajat e mahnitshme, të cilat gjatë dimrit mbulohen me dëborë, tërheqin turistë dhe skiatorë nga shumë vende të botës.
Hoteli i këndshëm, “Syri i malit” (Gorsko oko”) në qendër të qytetit, ku ne u akomoduam ishte, jo vetëm i bukur, por edhe shumë funksional. Ai kishte edhe një sallë të madhe, të pajisur më së miri për konferenca të rangjeve të ndryshme.
Por mbi të gjitha këtij qyteti bukurinë ia shtonin banorët mikpritës dhe gjithnjë gazmorë.
Kreu i veteranëve të Malit të Zi, lidhje të ngushta me Shqipërinë
Mbresa të veçanta na kanë lënë organizuesit e këtij takimi, Prof. Doktor Ljubomir Sekuliq, Kryetari i Organizatës së veteranëve për Malin e zi. Ndonëse mbi të tetëdhjetat ai ruante fort gjallërinë dhe kthjelltësinë e mendimit. Dikur partizan që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, familja e tij kishte disa të rënë në luftën për liri. Mbase dashamirësia dhe mikpritja ishin tipare dalluese të këtij veprimtari të palodhur.
Në bisedë me të ai shfaqi habi të përzier me një admirim të veçantë për heroin e Shqipërisë, gjeneral Parllakun. Kryetari ndër të tjera na tha: “Unë e dua shumë vendin tuaj dhe kam lidhje të forta me të. Ime shoqe është mbesë e poetit të madh shqiptar Migjeni, prandaj e vizitoj shpesh Shqipërinë, që ka një të kaluar heroike dhe lidhje të forta me Malin e Zi”.
Figurë interesante ishte edhe sekretari i organizatës së veteranëve, z. Dragan Gjuroviç. Njeri shumë aktiv, me kulturë të gjerë, një veprimtar i rrallë në aktivitetet që zhvillonte organizata. Me shumë dashamirësi na tha: “Ndihem shumë i gëzuar që një libër imi me përmbajtje historike është përkthyer në gjuhën shqipe dhe së shpejti do t’i bëhet promovimi në Tiranë, prandaj do të ndihesha i nderuar nëse do të merrnit pjesë edhe ju”.
Jo vetëm veteranët e ftuar, apo punonjësit e hotelit, por kudo nëpër qytet na pritën me dashuri e respekt. Ata i tërhiqte jashtë mase figura epike e gjeneral Parllakut, të këtij eposi të vërtetë.
Në mbrëmjen e datës 12 korrik, në periferi të qytetit, në një pllajë të bukur ishin ngritur çadra, ku do ta kalonin natën të rinj e të reja të grumbulluar për të përkujtuar ngjarjen e madhe historike. Të rreshtuar si informatorë të kohës së luftës, me flamuj të njësive të ndryshme partizane, atyre u foli kryetari i organizatës së veteranëve, Profesori i nderuar Sekuliq. Pastaj një adoleshent rreth trembëdhjetë vjeç na u drejtua neve dhe me atë çiltërsinë e moshës dhe me plot adhurim i shtrëngoi dorën gjeneral Parllakut.
BOX
Tubim përkujtimor në 75-vjetorin e fillimit të rezistencës antifashiste
Një ditë pas Konferencës Ndërkombëtare, në monumentin historik më të madh të qytetit Zabljak u organizua përkujtimi i një ngjarjeje madhore, jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për të gjithë ish Jugosllavinë, 75-vjetori i fillimit të rezistencës antifashiste. Më 13 korrik 1941, forcat atdhetare malazeze u mblodhën këtu, në Zabljak dhe filluan rezistencën e madhe antifashiste, e cila u bë shkëndijë e fillimit të rezistencës antifashiste për të gjithë vendin. Me qindra vetë u mblodhën për të përkujtuar 75-vjetorin e kësaj ngjarjeje të shënuar. Fjalimet e mbajtura dhe programi artistik i dha gjallëri të veçantë kësaj dite të shënuar, sidomos për popullin e paepur malazez. Rastësisht na u afrua një burrë i moshuar, mbi të nëntëdhjetat, por i mbajtur mirë. Me përmallim por edhe me një përzemërsi të madhe shtrëngon duart, me gjeneral Parllakun, të cilin e konsideron krenari kombëtare. “Na gëzuat shumë që morët pjesë në këtë festë. Fare i ri kam qenë kur më 13 korrik të vitit 1941 bashkë me mjaft të tjerë u rreshtuam në radhët e atyre që filluan të parët luftën antifashiste, jo vetëm për Malin e Zi. Sot unë drejtoj organizatën e veteranëve të Ulqinit”, pohoi shqiptari me emrin Gjok Stavoviç. Me mbresa të pashlyeshme u larguan nga ky vend i vogël, por me mikpritje të madhe nga ky vend me histori të shquar në të gjitha periudhat historike.
KOHA JONË SONDAZH

