Test droge për shoferët

Policia Rrugore synon të nisë së shpejti testin e drogës për drejtuesit e automjeteve. Për të realizuar këtë po shikohet mundësia e blerjes së disa pajisjeve që përdoren në shumë vende të bashkimit europian. Përmes pështymës, pajisja është e aftë të nxjerrë pas 5 minutave rezultatin nëse një drejtues mjeti është nën efektin e narkotikëve.

Ajo përcakton nëse ka konsumuar kanabis, kokainë apo lëndë të tjera. Të tilla teste u aplikuan një muaj më parë gjatë disa patrullimeve me efektivë të policisë rrugore çeke që vizituan Shqipërinë. Mësohet se po shikohen edhe modele të tjera më të sofistikuara të testit të drogës madje disa janë marrë në dorëzim.

Ndalimi i përdorimit të lëndëve narkotike ose psikotrope parashikohet edhe në kodin rrugor por aktualisht kontrollet kryhen vetëm në rastet kur ka dyshime pas aksidenteve, nëpërmjet analizave laboratorike. Aplikimi i testit të drogës për shoferët shihet si një mundësi për të parandaluar ngjarjet rrugore, ndërsa të hënën ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e shpalli 2020-n vitin e sigurisë rrugore.

SHKARKO APP