“Testi i idiotit”, ja çfarë është dhe pse u paralajmërua nga Policia (VIDEO)
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj prezantoi këtë të premte një paketë masash për qarkullimin rrugor, duke paralajmëruar një ashpërsim të ligjit me shumëfishim gjobash për drejtuesit e mjeteve dhe implementimin e të ashtuquajturit “testi i idiotit”. Testi është një vlerësim mjekësor-psikologjik shkurt “MPU”, i cili përdoret nga autoritetet gjermane për të vendosur nëse do të revokohet apo jo një leje drejtimi.
Drejtuesit e automjeteve, të cilët identifikohen si potencialisht të papërshtatshëm dhe që mund ta kenë të pezulluar lejen e tyre të drejtimit dhe duhet të plotësojnë në mënyrë të kënaqshme testin për ta marrë mbrapsht patentën e tyre. “MPU-të” zakonisht kërkohen që të kryhen për shkeljet që kryen me konsumin e drogës, alkoolit apo ndonjë shkelje tjetër që demonstron një mungesë të gjykimit të pastër gjatë drejtimit të mjetit.
MPU njihet gjerësisht si “Testi i Idiotit”, standardet e para të të cilit datojnë që në vitin 1955. Qëllimi i tij është përmirësimi i sigurisë në qarkullim dhe zvogëlimi i numrit të aksidenteve duke identifikuar shoferë të padobishëm e të rrezikshëm dhe heqjen e tyre nga rrugët.
Edhe pse konsiderohet si ndëshkim, testi i jep mundësinë shkelësve që të rehabilitohen dhe institutet mjekësore-psikologjike gjermane kryejnë rreth 100,000 MPU në vit. Rreth 50% e drejtuesëve të mjetit duhet ta bëjnë dy herë testin e tyre pasi nuk arrijnë që të marrin një rezultat pozitiv që në provën e tyre të parë.