Testimi, mjekët dhe infermierët sërish protesta

Për të dytën të hënë me radhë mjekët dhe infermierët e sistemit shëndetësor do të protestojnë për rreth një orë, ndërkohë që me kujdes shëndetësor do të mbulohen vetëm urgjencat. Ndërkaq, përmes njoftimit të publikuar nga Unioni i Profesionistëve të Mjekësisë Shqiptare theksohen dhe një sërë kërkesash të bluzave të bardha.

“Ne, profesionistët e mjekësisë shqiptare, të organizuar në organizatën sindikale ‘Unioni i Profesionistëve të Mjekësisë Shqiptare’, i themi ‘jo’ dhunës dhe diskriminimit të bluzave të bardha të çdo lloj metode, forme apo iniciative jo ligjore. Kërkojmë: respektim të autonomisë së profesioneve tona të rregulluar me ligj, përmirësim të kushteve të punës, ilaçe, ambiente, mjete, aparatura bashkëkohore si dhe rritje të shkallës së sigurisë në mjediset shëndetësore, protokolle klinike kombëtare për diagnostikimin, mjekimin dhe ndjekjen në vijimësi si dhe rivlerësim të rolit dhe përfshirjes akademike të personelit mjekësor në spitalet universitare, duke përfshirë edhe stafin mjekësor në spitalet rajonale, të cilët kanë tituj akademikë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Po ashtu, përmes protestës që do të zhvillohet sot në orën 11:00 bluzat e bardha kërkojnë që edukimi në vazhdim të jetë gurë themeli për vijimësinë e kualifikimit të stafit mjekësor profesional, duke e përmirësuar sistemin e funksionimit të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim. “Ky edukim në vazhdim i realizuar në përputhje me Nenin 33 të ligjit ‘Për kujdesin shëndetësor’ nuk parasheh dhe nuk justifikon ligjërisht në asnjë mënyrë nismën antiligjore të testimit masiv të bluzave të bardha të ndërmarrë nga MSH”, përfundon njoftimi ndërsa kërkohet që të shihet me përparësi nga organet përkatëse dyfishimi i pagave dhe i shpërblimeve të ekipeve mjekësore të shërbimit mjekësor roje 24- orësh.

SHKARKO APP