“Tetori Rozë”, në 2022 mbi 700 pacientë me kancer gjiri. Apeli për kryerjen e mamografive falas
710 pacientë me kancer të gjirit u diagnostikuan në vitin 2022 në të gjithë vendin duke shënuar një rritje prej rreth 9% krahasuar me vitin 2015. Mjekja onkologe në Njësinë e Kimioterapisë në QSUT, Amanda Zeko thotë se moshat më të riskuara janë ato të grave mbi 50 vjeç, por përjashtim nuk bëjnë as rastet tek burrat.
Teksa “Tetori Rozë” shërben si muaji i ndërgjegjësimit për gratë dhe vajzat, specialistët rekomandojnë kryerjen e mamografisë minimalisht 1 herë në vit. Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, kryeministri Edi Rama iu është drejtuar me një thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë mamografinë falas.
Sipas të dhënave zyrtare incidenca e të diagnostikuarave me kancer gjiri është më e lartë në qarqet Berat, Fier dhe Vlorë dhe më e ulët në qarqet e Kukësit, Dibrës, Durrësit dhe Shkodrës, ndërsa në gjithë vendin janë më shumë se 5,000 gra që vuajnë nga ky problem shëndetësor.