Thaçi kërcënohet me arrest në Beograd,ndërsa Vuçiç ftohet në Prishtinë !

 

Vizita e Hashim Thaçit në Serbi është anuluar nga organizata joqeveritare “Ambasadorët e Paqes” për shkak të presioneve të bëra nga autoritetet serbe se do të arrestonin kreun e diplomacisë kosovare nëse ai shfaqej në Beograd. Kjo organizatë gjithashtu ka anuluar edhe ftesat për ministrat e Jashtëm të Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjes të cilët ishin ftuar në aktivitet.

Para dy ditësh kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç reagoi duke thënë se Thaçit ende nuk i është hequr akuza dhe se do të veprojë sipas ligjeve. Ai ka mohuar edhe ndërhyrjen e Brukselit për të mbështetur vizitën e Thaçit në Serbi. “Ligjet në Serbi ekzistojnë dhe ne do ta arrestojmë Thaçin nëse vjen në Serbi. Thaçit nuk i është hequr akuza dhe ne do të veprojmë sipas ligjeve në fuqi. Askush nga Brukseli nuk ka ndërhyrë për mënyrën se si ne veprojmë me ligjet”, tha Vuçiç.

Mirpo në kohën kur anulohet ftesa për ministrin e Jashtëm kosovar, organizata “Fol” në Prishtinë ka dërguar një ftesë për kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku kërkon që ai të jetë i pranishëm në forumin e organizuar prej saj “FOL Hapur”. Sipas KTV-së, ftesa në drejtim të Vuçiç është bërë në funksion të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal në frymën e integrimit në BE.

“Gjithashtu në funksion të reflektimit të implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, Lëvizja FOL ju fton të flisni në Forumin FOL Hapur që e kemi iniciuar intensivisht vitin e kaluar. Kosova dhe Serbia, si dy shtete fqinje e ndërkombëtarisht janë zotuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe dy shoqërive. Prandaj, besojmë se është kruciale dhe e nevojshme që të ketë bashkëpunim në fusha të ndryshme jo vetëm në nivelin politik dhe institucional siç ka qenë deri tash”, thuhet në ftesën e Lëvizjes FOL të nënshkruar nga drejtori i saj ekzekutiv, Petrit Zogaj.

Ky aktivitet është parashikuar për në fund të muajt maj, ndërsa nuk ka ende një përgjigje nga kryeministri serb.

SHKARKO APP