FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Thasë me para në zyrën e ish-drejtoreshës së Postës, kamerat zbulojnë detajet e hetimit

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku ish-drejtoresha Elisabeta Mataj është lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa dy zyrtaret e tjera të dyshuara janë vendosur në “arrest shtëpie”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026, tre punonjëset dyshohet se nuk kanë arkëtuar në degët e Shijakut dhe Krujës një shumë prej 69 milionë lekësh të rinj. Hetuesit po vijojnë punën për të zbardhur të gjithë skemën, personat e mundshëm të përfshirë dhe destinacionin e parave.

Në dosjen hetimore përfshihen edhe pamje nga kamerat e sigurisë brenda filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të cilat sipas akuzës dokumentojnë lëvizje të shumta të thasëve dhe shumave monetare jashtë procedurave të përcaktuara.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga materialet rezulton se në disa raste, shefja e financës Valbona Duni ka marrë thasë me para nga arka dhe i ka dërguar në zyrën e saj ose në zyrën e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj. Hetuesit kanë evidentuar disa momente ku shfaqen lëvizje të shumave të mëdha, përfshirë miliona lekë që sipas dokumentacionit duhej të kalonin në degët e Shijakut dhe Krujës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një prej episodeve të përmendura në dosje lidhet me datën 7 maj, kur kamerat kanë regjistruar marrjen e një thesi me vlera monetare nga Valbona Duni, e cila më pas është futur në zyrën e saj dhe më vonë në zyrën e drejtoreshës. Sipas hetimeve, pas daljes nga zyra, thesin me para nuk e ka pasur më me vete.

Po ashtu, në një tjetër rast, më 21 maj, shefja e financës është filmuar duke marrë pako me kartëmonedha dhe duke i çuar në zyrën e drejtoreshës.

Ndërkohë, gjatë seancës gjyqësore, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj nuk ka dhënë shpjegime për fatin e shumës prej 69 milionë lekësh. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë, ajo është përgjigjur se nuk kishte dijeni. Hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë dhe rrugën që kanë ndjekur fondet e munguara.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?