Thellohet krimi në Lezhë, pasi e qëlluan me armë, shoferit të plagosur i djegin dhe furgonin
Mëngjesin e djeshëm i bënë pritë dhe e plagosën me armë, ndërsa mëngjesin e sotëm i kan djegur dhe furgonin me të cilin punonte.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Lezhës. Sipas tyre, mëngjesin e sotëm rreth orës 02:30, është marrë njoftim se në Kalivaç në Lezhë, është djegur plotësisht një automjet.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se është djegur automjeti furgon “Benz” në pronësi të 47-vjeçarit me inicialet A.Gj. banues në Kalivaç, i cili mëngjesin e djeshëm u qëllua me armë dhe mbeti i plagosur.
Mjeti mësohet se ka qenë i parkuar në ambientet e banesës së shtetasit me inicialet P. C., banues në Kalivaç.
Nga veprimet hetimore rezulton që zjarrëvënia të jetë e qëllimshme. Policia tha se po punon për identifikimin e kapjen e autorit/ve.
Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Lezhës për akuzën e “Shkatërrim prone me zjarr”.

