Thellohet skandali me serverin e të dhënave nga PS/ “Fuksi” patronazhist angazhohet personalisht për pengimin e qytetarit të votojë
“Edhe pse ka marrë legalizimin, është i çmendur për PD-në. Do mundohemi ta mbajmë në shtëpi ditën e votimit”.
Është ky shënimi i një patronazhisti të Partisë Socialiste, i cili pasi ka marrë pa leje dhe keqpërdor të dhënat e një qytetari angazhohet personalisht që ky njeri të mos e ketë të mundur që në 25 prill të ushtrojë të drejtën e tij të votimit.
Denoncimi i rastit në fjalë u bë publik nga Jonila Godole, Drejtore ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, e cila përmes rrjeteve sociale thekson se janë mbi 90 mijë fuksa të tillë në të gjithë Tiranën.
“Nga 90 mijë “fuksa” plus punëdhënësit e tyre që kishim para një jave, sot janë bërë miliona. Por për të qeshur nuk është hiç fare.
Shikoni shënimin më poshtë nga Patronazhisti i një qytetari dhe kuptoni ku jemi”, thekson pedagogia e gazetarisë, Jonila Godole.
Dhe nëse Prokuroria u kërkon llogari gazetarëve që e bënë publik skandalin e përdorimit të të dhënave të shqiptarëve nga ana e Partisë Socialiste, tashmë ajo duhet të zbarkojë tek selia rozë dhe të nisë hetimet duke nisur që nga kryetari i saj Edi Rama.