Thirrja e Berishës për protestë më 8 tetor, aktivisti: Nuk e duam atë dhe deputetët e PD, në shesh presim demokratët e zhgënjyer
Aktivisti i protestës qytetare, Ilir Xhemalaj, ka bërë të qartë se protesta që vijon prej 128 ditësh në bulevard synon të mbledhë qytetarë dhe opozitarë të pakënaqur, pa u vendosur nën drejtimin e një partie politike apo të një lideri. Ai deklaroi se në protestë janë të mirëpritur demokratët e zhgënjyer nga Partia Demokratike, por edhe qytetarët e pakënaqur me Partinë Socialiste.
Sipas tij, pjesëmarrja duhet të jetë individuale dhe e pavarur, ndërsa figurat politike dhe deputetët nuk duhet të marrin drejtimin e protestës. “Ne nuk ftojmë Sali Berishën në shesh, por forcat opozitare. Të gjithë ata opozitarë që janë të zhgënjyer nga PD-ja dhe PS-ja janë të mirëpritur”, u shpreh Xhemalaj në ”A2cnn”. Ai theksoi se synimi është që qytetarët të dalin në protestë pa përfaqësues partiakë, me qëllimin për të ushtruar presion ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Xhemalaj kritikoi gjithashtu deputetët e të dyja forcave kryesore politike, duke i cilësuar si të kapur dhe duke argumentuar se opozita ka një bazë më të gjerë se përfaqësimi aktual parlamentar. “Ne nuk po kërkojmë që të vijë Klevis Balliu në protestë. Duam që demokratët e zhgënjyer të dalin në shesh, jo deputetët”, deklaroi ai.
Deklaratat e aktivistit vijnë në një moment kur protesta qytetare ka hyrë në ditën e 128-të, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar zhvillimin e një proteste më 8 tetor.

