TikTok, jo vetëm “rrugaç i lagjeve” shqiptare, por një kërcënim global i sigurisë kombëtare
Albert Vataj
Mbyllja ose kufizimi i TikTok në shumë vende është nxitur nga një kombinim faktorësh, që përfshijnë shqetësimet për sigurinë kibernetike, privatësinë, ndikimin kulturor dhe social, dhe ndikimin e tij te të rinjtë, veçanërisht adoleshentët.
Edhe pse Shqipëria ka njoftuar një ndalim për një vit të TikTok-ut, si pjesë e një plani më të gjerë për t’i bërë shkollat më të sigurta, pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit nga i gjithë vendi, pas vrasjes së një adoleshenti muajin e kaluar, që ngjalli frikën mbi ndikimin e mediave sociale te fëmijët, ky është një shqetësim më i gjerë.
Edhe disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Belgjikën, kanë vendosur kufizime në përdorimin e mediave sociale për fëmijët. Në një nga rregulloret më të ashpra në botë që synon teknologjinë e madhe, Australia miratoi në nëntor një ndalim të plotë të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
TikTok është një nga platformat më të njohura të mediave sociale në botë, me një rritje të shpejtë të numrit të përdoruesve që nga lançimi i tij. Sipas të dhënave të vitit 2022, TikTok kishte mbi 1 miliard përdorues aktivë mujorë, të shpërndarë në 154 vende.
Kjo përfaqësonte rreth 22.32% të 4.48 miliardë përdoruesve aktivë të mediave sociale në atë kohë. Në Evropë, platforma kishte mbi 100 milionë përdorues aktivë.
Në Shtetet e Bashkuara, TikTok kishte mbi 100 milionë përdorues, me rreth 30 milionë aktivë brenda ditës.
Është e rëndësishme të theksohet se sot pas dy vitesh kur këto të dhëna janë të aksesueshme nga burime të besueshme, këto shifra mund të jenë shumëfishuar, duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të platformës.
Por jo vetëm kaq.
Shumë qeveri kanë shprehur shqetësime se TikTok në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, të dhënat e përdoruesve mund të aksesohen nga qeveria kineze, duke rrezikuar sigurinë kombëtare.
TikTok mbledh një sasi të madhe informacioni nga përdoruesit, përfshirë të dhëna mbi vendndodhjen, aktivitetin online dhe pajisjet e përdorura.
Kjo platformë është akuzuar për dobësi në sigurinë teknologjike që mund të ekspozojnë përdoruesit ndaj sulmeve kibernetike.
TikTok është projektuar për të mbajtur përdoruesit të angazhuar për periudha të gjata kohore, gjë që ka rezultuar në varësi nga platforma, duke ndikuar në përqendrimin dhe produktivitetin.
Përmbajtja që përfshin standarde jo realiste të bukurisë, sfida të rrezikshme dhe mesazhe joetike, ka ndikuar në zhvillimin e vetëvlerësimit dhe mirëqenies emocionale të adoleshentëve.
TikTok ka qenë shpesh një platformë ku përdoruesit janë përballur me gjuhë urrejtjeje, bullizëm dhe sjellje të papranueshme.
Shumë sfida virale në TikTok, si ato që përfshijnë veprime të dhunshme ose të rrezikshme, kanë rezultuar në dëmtime fizike ose humbje jete te adoleshentët.
TikTok është akuzuar për shpërndarjen e informacionit të pavërtetë dhe teorive të konspiracionit që mund të ndikojnë në perceptimet e përdoruesve.
Përdorimi masiv i TikTok është parë si një kërcënim ndaj diversitetit kulturor, duke promovuar një kulturë globale homogjene që mund të dëmtojë identitetet lokale.
TikTok përdor algoritme të fuqishme për të personalizuar përmbajtjen, por mungesa e transparencës mbi mënyrën si funksionojnë këto algoritme ka ngritur shqetësime për manipulimin e përdoruesve.
Megjithëse platforma ka mekanizma për të ndaluar përmbajtjen e papërshtatshme, shumë raste kanë treguar se këto mekanizma janë të paefektshëm.
Alarmi i bërë prezent për rreziqet e evidentuara dhe ato potencialisht kërcënuese, nxjerr si imperative masat e sugjeruara për të zbutur kërcënimi. Nga të cilat, forcimi i kontrollit mbi sfidat virale dhe përmbajtjen e dëmshme, implementimi i sistemeve më të forta për të ndaluar qasjen e të miturve, edukimi i komuniteteve për të identifikuar dhe trajtuar ndikimet negative të platformës, vendosja e rregulloreve globale për platforma të ngjashme.
Këto kufizime dhe kritika theksojnë nevojën për të krijuar një ekuilibër midis lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së përdoruesve.
Gjithsesi mbyllja ose kufizimi i Tik Tok nuk ka kaluar pa kontestime të fuqishme. “Ne besojmë se Gjykata do ta gjejë ndalimin e TikTok si jokushtetues, në mënyrë që mbi 170 milionë amerikanë në platformën tonë të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtat e tyre të fjalës së lirë,” tha një zëdhënës i TikTok në një deklaratë për BBC.