Tirana destinacioni i përhershëm i turistëve të huaj, interes për trashëgiminë kulturore dhe turizmin malor

Tirana është kthyer në një atraksion absolut për turistët e huaj, por edhe për banorët e saj dhe vizitorë nga qytete të tjera mund të argëtohen në aktivitete të ndryshme në çdo ditë të javës.

Ketrina Jarazi, drejtoreshë e Drejtorisë së Turizmit pranë Bashkisë së Tiranës thotë për ATSH-në se kryeqyteti shqiptar është destinacioni i përhershëm i pothuajse të gjithë turistëve që vizitojnë Shqipërinë.

“Tirana është shndërruar në qytetin që nuk fle kurrë. Kultura, aventurat dhe jeta aktive e natës janë kryefjala e metropolit shqiptar. Një nga objektivat e turizmit në Bashkinë e Tiranës është rritja e kohëqëndrimit të turistëve në kryeqytet dhe në këtë fokus nga qershori, deri në gusht eventet kulturore të parashikuara janë të shumta, për të tërhequr vizitorë të huaj, por edhe qytetarët vendas”, tha Jarazi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke iu referuar INSTAT, Jarazi u shpreh se numri i shtetasve të huaj të ardhur në Shqipëri për periudhën janar – prill 2025 është 2,45 milionë, duke pësuar një rritje me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2,33 milionë janar – prill 2024) dhe një rritje prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 (1,68 milionë janar – prill 2023).

Swiss Digital Mobile Reklama

“Bashkia e Tiranës menaxhon dy qendra informacioni turistik (Info Point), të vendosura në Rrugën “Ded Gjo Luli” dhe në sheshin “Skënderbej”. Në këto qendra u ofrohet informacion vizitorëve për atraksionet turistike, muzetë, oraret e autobusëve ndërqytetas, eventet kulturore në Tiranë si edhe për çdo pyetjeje që ata kanë për Tiranën, rrethinat e saj apo edhe për qytetet e tjera. Në këto qendra turistët e ardhur që kërkojnë informacion janë individualë, ndërsa grupet e turistëve vijnë me agjenci turistike. Kohët e fundit ka një rritje të numrit të turistëve të cilët vijnë të organizuar me agjenci”, cilësoi Jarazi.

Sipas Jarazit, bashkia e Tiranës në misionin e saj për të tërhequr turistë dhe për të rritur kohën e qëndrimit të tyre, ka investuar jo vetëm në infrastrukturën rrugore sidomos atë që lidh zonat e rrethinave me Tiranën, por edhe në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Tiranës me ngritjen e disa muzeve të rinj në kryeqytet, siç është muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare – Agolli”, Muzeu Etnografik i Tiranës (në ndërtim), Muzeu “Besa” në bashkëpunim me qeverinë, etj.

Gjithashtu, sa i takon sektorëve të turizmit që priten me interes më të madh në muajt e ardhshëm, drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit pranë Bashkisë Tiranë pohon se fokusi pritet të jetë turizmi malor.

“Kryesisht në Dajt, ku ka mjaft kërkesa nga turistët, por edhe infrastruktura është e përshtatshme, për hiking në Bovillë apo vizitë në Petrelë. Ndërsa, në kryeqytet mbetet turizmi kulinar me kuzhinën tradicionale si dhe turizmi kulturor – historik me muzetë dhe atraksionet interesante”, tha ajo.

Këtë vit, Tirana është shpallur Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025, ndaj dhe numri i aktiviteteve të parashikuara është i shumtë, si nga organizimet në sheshin “Skënderbej” përgjatë javëve kulturore italiane, suedeze, franceze, si edhe performancat e grupeve legjendare muzikore, më e fundit “Ace of Base”, etj.

Sa i përket aktiviteteve të parashikuara nga bashkia Tiranë për javët dhe muajt në vijim, Jarazi tha se deri në 30 qershor në Tiranë do të jetë prezent eventi “Tirana Photo Festival”, ku në themel është fotografia dhe angazhimi i të rinjve që promovojnë vendin përmes fotografisë.

“Festivali çdo vit tërheq rreth 1000 aplikime nga gjithë Shqipëria, por dhe nga bota”, pohoi ajo.

“Gjithashtu në fund të qershorit do të organizohen dy koncerte të titulluar “Tingujt e Mesdheut në Tiranë” tek Amfiteatri te Parku i Liqenit Artificial, ndërsa një nga aktivitetet e rëndësishme të muajit korrik është koncerti “Intruso – Ara Malikian” në 26 korrik, si pjesë e turneut botëror të Ara Malikian që do të organizohet tek Amfiteatri në Parkun e Liqenit Artificial”, vijoi ajo.

Jarazi u ndal edhe te kalendari i aktiviteteve të parashikuara nga Bashkia Tiranë nga korriku e në vazhdim, ku në 10 korrik, në kuadër të festave lokale të shndërruara në traditë, në ambientet e Kalasë së Tiranës do të organizohet për të shtatin vit radhazi, Festa e Fërgesës.

“Më 27 korrik do të mbahet ne Teatrin e Operas dhe Baletit shfaqja “United Dance Tirana 2025”. Në shtator në kinema “Millenium” do të mbahet ““Edicioni i 23-të i Tirana International Film Festival 2025”.

Gjatë shtatorit do të zhvillohet në Tiranë “Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri”, edicioni i 20-të, teksa në tetor do të organizohet “Bienalja e 6-të Ndërkombëtare e Akuarelit””, pohoi Jarazi.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?