Tirana po mirëpret Forumin e Investimeve EU–WB6, u nënshkrua memorandum mirëkuptimi AIDA-FIPA
Po mbahet në Tiranë Forumi i Investimeve EU-WB6. Ky forum shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit ekonomik evropian, duke kthyer Tiranën në qendrën e Ballkanit Perëndimor. EU-WB6 bashkon liderë rajonalë dhe ndërkombëtarë, agjenci homologe të investimeve dhe aktorë ekonomikë që ndajnë një vizion të përbashkët për një të ardhme bashkëpunimi, zhvillimi dhe besimi reciprok në rajon. Aktiviteti i parë i forumit, “IPAs Connect”, çeli siparin e këtij eventi dy-ditor, duke vënë në qendër të vëmendjes bashkëpunimin rajonal dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon. Përfaqësues nga institucionet e Bashkimit Evropian, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Banka Botërore dhe agjencitë e promovimit të investimeve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor prezantuan punën e tyre, kornizën ligjore dhe fushat prioritare të investimeve, si dhe ndanë sfidat me të cilat përballen në tërheqjen e investimeve të huaja.
Gjashtë shtetet pjesëmarrëse në IPA’s connect ishin:
Albanian Investment Development Agency (AIDA) – Shqipëri
Foreign Investment Promotion Agency (FIPA) – Bosnjë dhe Hercegovinë
Kosovo Investment and Enterprise Support Agency (KIESA) – Kosovë
Montenegrin Investment Agency (MIA) – Mali i Zi
Invest North Macedonia – Maqedonia e Veriut
Development Agency of Serbia (RAS) – Serbi
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve theksuan se progresi i reformave është thelbësor për të ruajtur besimin në institucionet publike dhe në Bashkimin Evropian, si dhe për të krijuar një klimë të qëndrueshme investimesh në të gjithë rajonin. Ata përshëndetën iniciativën për t’u bërë bashkë në një tryezë dhe vullnetin për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet agjencive të investimeve.
Përvojat evropiane dhe rëndësia e bashkëpunimit
Agjencitë e mëdha evropiane të promovimit të investimeve nga Gjermania, Franca, Italia, Hungaria dhe Qiproja ndanë përvojat e tyre të suksesshme në ndërtimin e politikave të qëndrueshme ekonomike dhe mbështetjen e investitorëve. Ky shkëmbim përvojash u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet agjencive të rajonit dhe për ta pozicionuar Ballkanin Perëndimor si një destinacion të përbashkët dhe tërheqës për investime.
U nënshkrua Memorandum Mirëkuptimi AIDA-FIPA
Në përfundim të takimit mes IPA-ve u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi (MOU) mes Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Bosnjës dhe Hercegovinës (FIPA). Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit institucional, nxitjen e iniciativave të përbashkëta, dhe realizimin e ideve të reja investimi që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit.
KOHA JONË SONDAZH















