Tirana me “maratonomakët” e saj të 50 shtetëve të botës (foto)
Albert Vataj
Në kryeqytetin shqiptar u mbajt Maratona e 8-të e Tiranës, sfida e vrapimit që e shndërroi këtë ditë të diel në një ditë gare dhe feste, në një ditë pjesëmarrje në vrapim dhe të përfshirjes në energjinë e jetës së këtij qyteti të vrullshëm.
Kishin ardhur nga 50 shtete të botës si “maratonomakë” vrapimi. Prej dy ditësh Tirana ishte plotë me atletë dhe me stafin e tyre, duke mbushur hotelet dhe restorantet. Ndërsa sot kryeqyteti ishte “pushtuar” nga afro 4 mijë vrapues.
Kryeministri Edi Rama, e ka përcjellë gjithashtu këtë eveniment, me një fotogaleri, të titulluar “Tirana sot”, ku çdo foto të çon te çdo hap që bëmë për të kurorëzuar këtë festë, çdo foto përshkruan emocionet e solemnitetit të kësaj kremte sportive.
Zemreku i gjithë kësaj Maratone është Erion Veliaj.
Në edicionin e 8-të të Maratonës së Tiranës, rekordmenia e pistave prestigjoze të botës, Luiza Gega vendosi rekord kombëtar dhe fitoi garën e maratonës pas përshkimit të distancës prej 42 kilometrash. Ndërkohë, në distancën e gjysmë-maratonës (21 km), fituesit kryesorë ishin atletët nga Afrika. Në garën 10 km, një italiane dhe një ukrainas u shpallën fitues.
Nga 50 vende të botës ju bashkuan këtij vrapimi, këtij kulmimi të bukurisë së emocionit që jep gara dhe adrenalinës që thërret fitorja.
“Një ditë plot energji, emocion dhe adrenalinë!” shkruan kryebashkiaku, Erion Veliaj në një postim që ai ka bërë të një fotogalerie ku përcillet hap pas hapi atmosfera e kësaj gare, e cila ftoi të gjithë jo dhe aq për të fituar trofeun, se sa për të qenë pjesëmarrës i një ngjarjeje të kryeqytetit, për të shënuar me adrenalinën e secilit rrugën e manifestimit festiv.
Sot metropoli shqiptar kishte një ditë ndryshe, një ditë që frymonte në mijëra kraharore të etur për sfidë dhe në qiellin e xhamtë që nderej duke derdhur dritë mbi vrapimin e ngjyrshëm nëpër rrugët ku çdo ditë dhe çast mat pulsin e këtij qyteti që rritet.
Tirana kishte një maratonomak, një lajmës jo të ndonjë fitoreje, por të një feste që do të bënte pjesë të sajë çdo qytetarë të Tiranës dhe do të shënonte përmbushjen me sukses të një tradite të vrapimit që kurorëzon Tiranën në Maratonën e saj të 8-të.
Kjo maratonë pati fitues dhe thyerje rekordesh, por më e rëndësishme ishte dhe mbeti pjesëmarrja masive. Të gjithë ishin të ftuar të gjithë qenë pjesëmarrës, pa dallim grupmoshash dhe profesionesh, aftësi ndryshe dhe ata maratonomakët e së ardhmes, fëmijët që u bënë pjesë e kësaj feste.
Edhe Tirana, kryeqyteti i shqiptarëve ka maratonën e saj, ngjarjen më të madhe të pjesëmarrjes dhe mesazhit që përcjell kjo sfidë, akti i lartë i blatimit të shpirtit, një emocioni që na bëri të ndihemi pjesë e gjallë e vitalitetit të Tiranës.
Nga gjithë bota në një ditë u bënë pjesë e kësaj frymëmarrje që i jep të emër ndërkombëtar kësaj Tirane, këti qyteti që është i të gjithëve në çdo pjesë të saj.