Tirana vlerësohet në Meksikë krah Parisit, për qeverisje të hapur

 

Tirana u cilësua si një ndër 4 kryeqytetet, që muajt e fundit kanë shënuar progres në mirëqeverisje e për qeverisjen e hapur në “Samitin Global”, që u mbajt në Meksikë.

Tirana së bashku me bashkitë e Parisit, Pretorias dhe Mexico City u vlerësuan për qeverisjen e hapur dhe nismat e ndërmarra në më pak se 100 ditë nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, veçanërisht për pastrimin e qytetit, ditët pa makina dhe adoptimin e çerdheve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi shembullin e mirë që Tirana po jep nëpërmjet punës tek vendet e tjera.

Ai u shpreh pas Samitit se “jam krenar që Tirana jonë po merret si shembull i mirë në botë për mirëqeverisjen, por kemi ende shumë për të bërë. Së shpejti, një aplikacion i ri ku çdo qytetar mund të raportojë për ndotjen e qytetit dhe të marrë informacion mbi transportin, parqet e parkingjet. Ditët më të mira për qytetin i kemi përpara”.

Partneriteti për Qeverisje të Hapur është një nismë shumëpalëshe që prezantua për herë të parë në vitin 2011 si një platformë për ata që ndërmarrin reforma, në mënyrë që të sigurohet qeverisje e përgjegjshme, e hapur dhe transparente.

Ky Samit zhvillohet çdo dy vjet dhe përfaqëson organizimin më të madh të praktikantëve të principeve të qeverisjes së hapur nga e gjithë bota. Forumi ofroi një mundësi për adresimin e sfidave që hasin vendet që zbatojnë principet e qeverisjes së hapur, për rritjen e përgjigjes institucionale në lidhje me ato problematika që mund të pengojnë arritjet e zhvillimit gjithë-përfshirë botëror.

SHKARKO APP