Tiranë/ Arrestohet 48-vjeçari i kërkuar nga Italia, pritet ekstradimi
Një operacion i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit ka çuar në arrestimin në Tiranë të një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Operacioni i koduar “FAST” u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pas shkëmbimit të informacionit me homologët italianë.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 48-vjeçari Bekim Nikolli, banues në Tiranë. Ai u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor, pas veprimeve hetimore dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative nga strukturat e posaçme të kërkimit.
Sipas të dhënave zyrtare, Nikolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Napoli, Itali, e kishte dënuar në nëntor të vitit 2021 me 13 vite burgim për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”.
Nga hetimet e autoriteteve italiane dyshohet se 48-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qenë i përfshirë në shfrytëzimin për prostitucion të disa shtetaseve, të cilat sipas hetimeve ishin futur në mënyrë të paligjshme në territorin italian.
Gjithashtu, autoritetet italiane dyshojnë se ai ka përdorur dhunë dhe forma presioni ndaj viktimave, me qëllim mbajtjen e tyre nën kontroll dhe rritjen e përfitimeve financiare nga aktiviteti i paligjshëm.
Arrestimi u bë falë bashkëpunimit mes strukturave FAST Albania dhe FAST Itali, si dhe koordinimit ndërmjet autoriteteve policore të dy vendeve.
Aktualisht, Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e 48-vjeçarit drejt Italisë, ku ai do të përballet me ekzekutimin e dënimit të dhënë nga drejtësia italiane.
KOHA JONË SONDAZH

