Tjetër ngjarje në Fier, breshëri automatiku ndaj një automjeti
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Petovë të Fierit.
Policia raporton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:45 minuta. Nga të dhënat e para të policisë dyshohet se shtetasi me iniciale M. C., 30 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. S., ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të automjetit tip “Ford” në pronësi të shtetasit M. S., 64 vjeç, (në të cilin nuk ndodheshin persona brenda), i cili ishte i parkuar pranë banesës së autorit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe dy grupe të FNSH Fier janë vënë në ndjekje të autorit i cili është larguar nga vendngjarja.