Tjetër protestë, këtë herë në Kavajë kundër…
Në Kukës e në Tiranë, paralelisht po zhvillohen protesta kundër tarifës në Rrugën e Kombit, një tjetër protestë është ndezur në Kavajë. Bëhet fjalë për rreth 40 subjekte që operojnë në plazhin e Spillesë.
Punonjësit dhe familjarët e tyre protestojnë kundër prishjes së objekteve të tyre të shërbimit në një nga plazhet me të bukura të Adriatikut, në Spille. Banorët, kryesisht pronarët e bizneseve në zonë janë shprehur kundër prishjes së ndërtimeve duke deklaruar se aty kanë derdhur mundin dhe kursimet e një jete.
“Kemi shpenzuar shumë para, kursimet e jetës sonë. Në 2016 i ndërtuam dhe Ministria na përgëzoi duke e konsideruar plazh model. Tani na vijnë dhe thonë ti prishim pasi duan të pastrojnë vijën bregdetare. Jemi shumë të irrituar dhe duam të dëgjohet problemi ynë” thonë ata. Në zonën e Spillesë janë të punesuar mbi 700 persona, kryesisht banorë të zonës.
Subjektet kanë kontarata qiraje me Bashkinë e Rrogozhinës, për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit për periudha 3+1 vjeçare, me të drejtë rinovimi. Përfaqësues të IKMT-së i kanë njoftuar verbalisht për prishjen e tyre pas nisjes së procedimit penal për kryetarin e bashkisë Beqir Nuredini për shpërdorim detyre, në lidhje me lejet e dhëna në bregdet.
Protestuesit kërkojnë mbrojtjen e bizneseve të tyre nga shteti në prag të sezonit turistik, gjë që do të shmangte pasojat për familjet e tyre, të punësuarit, komunitetin e zonës dhe turistët e shumtë që priten. Në të kundërt ata kërkojnë të dëmshpërblehen për prishjet.
KOHA JONË SONDAZH

